Kot po mundohet ta hapë derën e shtëpisë së shëndetit, pasi të njëjtës që pesë muaj i është vënë dryni.
Teksa më parë e kishin mundësinë ta vizitonin mjekun në derë të shtëpisë, tashmë banorët e fshatit Gaçkë detyrohen t’i bëjnë 10 kilometra për të marrë trajtimet mjekësore.
Janë mbi 2000 banorë që ballafaqohen me këtë sfidë, e krejt kjo situatë ndodhi pasi kishte përfunduar kontrata mes “Caritas Kosova” dhe Komunës së Ferizajt.
Tashmë 260 punëtorë të cilët punonin në lokacione të ndryshme të kësaj komune janë larguar nga puna.
Dy prej tyre ishin pjesë e AMF-së në fshatin Gaçkë. Kushtet e vështira e bëjnë edhe më të theksuar mungesën e ambulancës në këtë fshat.
49 vjeçari Liman Veliaj, banor i Gaçkës, e kalkulon se vetëm rruga deri në Ferizaj me taksi në të dyja drejtimet iu kushton 20 euro. Madje, edhe kur të shkojnë në Emergjencën e Ferizajt, sipas Veliajt, ka pasur raste se i kanë kthyer duke iu thënë shkoni në Gaçkë.
“Paret prej xhepit tonë po duhet mi dhanë, jena me social, po është problem me pagu taksi. Shko te emergjenca, thotë shko në Gaçkë, shumë maltretim. Me marr ni taksi kushton 10 euro me shku në Ferizaj, edhe mu kthy 2”, ka rrëfyer banori për Kiksin.
Fshati Gaçkë duket se nuk është i vetmi të cilit i është mbyllur ambulanca dhe se Komuna e Ferizajt me fshatrat përreth po përballet me një mbyllje masive të këtyre shtëpive të shëndetit të cilat ofrojnë shërbime mjekësore për banorët e ngelur në ato pjesë.
70 vjeçari Jakup Kurtaliqi, ka treguar se si kishte mbetur në mes të rrugës pa ditur se ku të vazhdojë t’i marrë shërbimet mjekësore që dikur ia ofronte AMF-ja e këtij fshati.
Kurtaliqi vazhdon të shpresojë se një ditë kjo qendër mjekësore do t’i kthehet banorëve të këtij fshati dhe atij do t’i rihapet dera e ilaçeve e e trajtimeve mjekësore.