Si çdo fundvit, banorët e fshatit Pjetërshan të Gjakovës janë bashkuar për të krijuar një atmosferë të mrekullueshme festive, duke ndriçuar dhe zbukuruar oborrin e Kishës Shën Jozefi dhe një pjesë të fshatit.
Në mënyrë të organizuar, banorët kanë mbledhur fonde për të siguruar dekorimet e nevojshme, duke e kthyer fshatin në një destinacion përrallor për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.
Me pemë të zbukuruara dhe drita që ndriçojnë çdo kënd, Kisha Shën Jozefi ka hapur dyert për banorët dhe vizitorët, të cilët po shijojnë atmosferën e ngrohtë dhe magjepsëse të këtij sezoni.
Dritat e Krishtlindjes në Pjetërshan shpërthejnë si yje, duke ndezur njëra-tjetrën dhe duke krijuar një pamje të paharrueshme.
Ky ndriçim i veçantë nuk është vetëm simbol i festave, por edhe dëshmi e bashkëpunimit dhe përkushtimit të komunitetit.
Të gjithë shqiptarët ndjehen të mirëseardhur për ta vizituar Pjetërshanin dhe për të shijuar këtë pamje përrallore të fshatit të dritave të Krishtlindjes!