Druri dhe peleti, kryesojnë si opsione që komunat e Kosovës kanë zgjedhur për ngrohje gjatë kësaj sezone të dimrit. Mirëpo, kërkohet që niveli lokal të bëjë zgjidhje afatgjate sa i përket çështjes së ngrohjes.
Pothuajse të gjitha komunat kanë bërë zgjidhje se me çfarë do të ngrohen këtë dimër.
Në proces tenderimi të ri, është ajo e Podujevës, pas anulimit të kontratës paraprake për mospërmbushje të detyrimeve.
Zgjidhja e saj për ngrohje është druri.
Njëjtë kanë vendosur edhe komuna e Pejës, që për dru destinoi 447 mijë euro, kurse ajo e Klinës 46 mijë euro.
Me dru do të ngrohen edhe institucionet publike në komunën e Kllokotit, Obiliqit e Vushtrrisë.
Kjo formë e ngrohjes, vlerësohet se aplikohet më shumë për shkak të kostos më të lirë.
“Shumicën e rasteve komunat po zgjedhin të ngrohen me dru për shkak të çmimeve më të ulëta, sepse peleti ka një kosto më të lartë. Megjithatë janë disa efekte anësore të cilat shkaktohen me vetëdije apo pa vetëdije. Prerja e drunjve ndikon direkt në çështjen e ambientit dhe kjo është problematike”, tha Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.
Ndërsa, me pelet kanë zgjedhur ta sigurojnë ngrohjen komuna e Kamenicës, Kaçanikut, Gjilanit e Vitisë.
Ngjashëm ka vepruar edhe komuna e Ferizajt.
“Përmes ritenderimit, komuna e Ferizajt është furnizuar me lëndë djegëse (pelet) për nevojat e institucioneve arsimore dhe komunale të Komunës së Ferizajt. Vlera e kësja kontratë të nënshkruar është 13,970 euro”, thuhet nga kjo komunë.
Mirëpo, kërkohet që niveli lokal duhet të mendojë për periudha më afatgjate sa i përket çështjes së ngrohjes.
“Zgjidhja afatgjatë është përfshirja në investimet e efiçiencës së energjisë, pra përmes planit komunal për efiçiëncë të energjisë duhet të zgjidhet edhe çështja e ngrohjes apo e izolimit të shkollave nëpër komuna”, tha Rrmoku.
Kosova ka pasur program bashkëpunimi me BE-në, për përdorimin efiçiencës së energjisë.