Drejtoria e Arsimit në Komunën e Drenasit përmes një njoftimin për media thotë se ka qenë dhe është bashkëpunuese me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).
Në njoftim thuhet se Komuna e Drenasit në vazhdimësi ka ofruar bashkëpunimin e plotë me Ministrinë e Arsimit dhe me ministritë e linjës, nëpërmjet propozimeve, iniciativave dhe koordinimit për ngritjen e cilësisë së arsimit në komunën e Drenasit.
“Kemi marrë pjesë aktive në analizat lidhur me arsyeshmërinë për ndërtimin e çerdheve, propozimin e kemi sjellë në Kuvend nga ku kemi marrë miratimin e Kuvendit të Komunës për caktimin e lokacioneve për ndërtimin e dy çerdheve të reja. Projekti nga Ministria e Arsimit nuk ka qenë i plotë (munguan elaborati për mbrojtjen e mjedisit, për mbrojtje nga zjarri, organizimin e punishtes), Komuna e Drenasit është duke e përfunduar elaboratin në fjalë pas tenderimit dhe ritenderimit të projektit”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se “sa i përket adaptimit të dy anekseve të shkollave në çerdhe në LLapushnik dhe në Arllat, Drejtoria e Arsimit ka hartuar edhe projektet për këto dy objekte dhe tash punimet janë në fazën finale”.
“Çdo herë kemi qenë të zëshëm në kërkesat tona për staf shtesë për edukatore pasi që kemi qenë të gatshëm të investojmë edhe vet në krijimin e hapësirave të reja për çerdhe, mirëpo me një përjashtim, këto kërkesa tona nuk janë marrë parasysh.
Komuna e Drenasit i ka ofruar dhe ofron përkrahje çdo projekti në të mirë të qytetarëve të komunës tonë dhe më gjerë, duke qenë çdo herë bashkëpunuese me MAShTI dhe e gatshme për të kontribuar për rritjen e cilësisë së arsimit”, vijon reagimi.