Ende s’është bërë një muaj prej kur Komuna e Podujevës hapi Stacionin e ri të Autobusëve, me kushte moderne e që u prezantua si projekt që do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve.
Megjithatë, autobusët duket se po kanë telashe me udhëtimin deri në stacion.
Për shkak të distancës së largët me qendrën, autobusët më shumë po shfrytëzojnë pikat e ndalimit, sidomos atë te Shkolla Ekonomike, sesa stacionin qendror.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, tha se është bërë një zgjidhje e tillë pikërisht për këtë arsye.
“E kemi kriju një hapësirë të re për shkak se ata po konsiderojnë që është pak larg. E kemi kriju një vend-stacion te shkolla ekonomike veç me i grumbullu qytetarët e më pas me vazhdu rrugën e tyre. Ata e kanë obligim që me shku e me e bë peronizimin te Stacioni i Autobusëve, e pasi të bëjnë peronizimin aty, nisën dhe vijnë i mbledhin udhëtarët te vendstacioni që është krijuar për ta, te Shkolla Ekonomike. Janë në pyetje 2-3 minuta, deri sa të hypin/zbresin udhëtarët. Është thjesht vendndalim i autobusëve”, tha Zhitia.
I pyetur nëse janë hasur parregullsi nga operatorët e udhëtimit, pikërisht me peronizimin, Zhitia tha:
“Ka pasur pak parregullësi. Fillimisht kanë refuzu me shku në stacion, për shkak që ka qenë larg, si dhe kanë pasur ankesa lidhur me taksitë ilegale që operojnë në relacionin Prishtinë-Podujevë. Tash janë tu u fut në stacion, e tash e tutje nga stacioni shkojnë te Shkolla Ekonomike, i mbledhin udhëtarët dhe vazhdojnë në destinacionet që kanë”.
Ai tha se ende nuk janë marrë masa ndaj kompanive që po shmangin vajtjen deri në stacionin kryesor, por që ndaj të njëjtëve është bërë paralajmërim.
“Ende s’kemi marrë masa, por iu kemi dhënë një afat kohor që sa më shpejt të kyçen në stacion dhe të respektojnë rregullat. Iu kemi dhënë ultimatum, dhe në rast se nuk respektohet, patjetër që do të ketë edhe gjoba”, u shpreh Zhitia.
Kujtojmë se realizimi i projektit një milionësh për stacionin e ri bashkëkohor filloi më 2022, atëherë kur u vendos gurthemeli.