​“Si në shtëpi”, renovimet në Klinikën e Gjinekologjisë sjellin rehati për nënat dhe foshnjat

Kosova

​“Si në shtëpi”, renovimet në Klinikën e Gjinekologjisë sjellin rehati për nënat dhe foshnjat

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 12:32
Klinika e Gjinekologjisë

Të mërkurën e ka sjell në jetë fëmijën e saj të dytë. Blerina Ibrahimi shprehet shumë e kënaqur me shërbimet që ka marrë në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, pas rinovimeve që janë bërë aty. Të kënaqura janë edhe lehonat tjera, të cilat thonë se gjatë qëndrimit aty kanë gjetur rehati "si në shtëpi".

Renovimet e bëra në këtë klinikë kanë krijuar mundësi për shërbime më cilësore dhe rehati më të madhe edhe për të porsalindurit.

Përmirësimi i infrastrukturës në këtë Klinikë ka krijuar mundësi edhe për ofrim të shërbimeve të reja.

Zvogëlimi i shtretërve në një dhomë, sistemi i thirrjes së infermiereve, tualet në dhomë, e aparaturat e reja që tashmë janë funksionale janë disa nga përmirësimet që kanë lehtësuar qëndrimin dhe trajtimin e nënave dhe të foshnjave në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

Ibrahimi: Jam shumë e kënaqur me kujdesin e motrave por edhe higjienën

“Procesi i lindjes ka shkuar shumë mirë, për fat të mirë pa komplikime edhe jam shumë e kënaqur me kujdesin dhe gjithçka tjetër që kanë ndodhur si në sallën e lindjes si pas lindjes... Lindjen e parë nuk e kam pas fatin ta kryej këtu, por jam shumë e kënaqur me çka pash, me kujdesin e motrave, higjiena, pastërtia gjithçka në nivel”, thotë Blerina Ibrahmi.

Nga e mërkura kur edhe kreu procesin e lindjes në Klinikën e Gjinekologjisë pranë QKUK-së po qëndron edhe një nënë e cila për KosovaPress rrëfeu përvojën e mirë në këtë klinikë.

Ajo tregon se gjatë këtyre ditëve hospitalizim në KOGJ po ndihet si në shtëpinë e saj, kjo falë kushteve shumë më të mira, por edhe kujdesit nga ana e profesionistëve shëndetësorë.

Nëna: Po ndihem sikur në shtëpi, kujdesi i mjekëve dhe i motrave tepër i mirë

“Kam lindur të mërkurën në mëngjes, prej sallës së lindjes e deri këtu nuk kam asnjë vërejtje, edhe atje në sallë ka qenë tepër mirë. Na kanë shikuar shumë mirë, por edhe këtu tepër mirë... Kujdesi është shumë i mirë edhe prej motrave {infermiereve} edhe prej mjekëve dhe kushtet janë tepër më të mira. Kam dëgjuar më herët që kanë thënë që është keq e këso gjërash, e kundërta, tepër mirë, jam shumë e kënaqur, sikur në shtëpinë time me qenë”, theksoi ajo.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Zef Ndrejaj thotë se falë renovimeve të bëra përgjatë këtij viti krahas kushteve të punës është përmirësuar edhe aspekti higjienik.

Si rrjedhojë, shton ai, është rritur edhe numri i shërbimeve ambulantive.

Ndrejaj: Çdo pacient është më i kënaqur me kushtet dhe trajtimin

“Çdo pacient është më i kënaqur me kushtet dhe trajtimin që bëhet në Klinikën e Gjinekologjisë. Përpos kushteve të punës janë përmirësuar edhe kushtet higjienike, sepse me infrastrukturë të re mirëmbajtja e reparteve apo dhomave është shumë më e këndshme dhe më e mirë… Nëpër repartet të cilat janë të rinovuar, dhomave që kanë qenë me 7-8 shtretër tash i kemi vetëm nga 2 shtretër në dhomë edhe me nyjën sanitare apo banjon brenda në dhomë që shumë i përmirëson kushtet higjienike edhe trajtimin e pacientëve pas lindjeve ato e kanë një qasje më të lehtë dhe më të përdorshme për të qëndruar dhe me pas kushte sa më të mira të trajtimit”, thekson Ndrejaj.

Me investimet e bëra në këtë klinikë të QKUK-së janë krijuar mundësi edhe për ofrim të shërbimeve të reja.

Njësia fetale është kompletuar dhe po ofron shërbime, ndërsa shërbimi IVF pritet të nisë deri në fund të këtij viti.

Ndrejaj: Përpos shërbimeve më të mira, ne kemi edhe shërbime shtesë

“Përpos shërbimeve më të mira ne kemi edhe shërbime shtesë që kemi bërë. Kemi rregulluar njësinë fetale komplet, është një repart thuajse i veçantë me katër zyra, dy ultrazë të ri të teknologjisë së fundit, kemi filluar me atë njësi që shërbejnë për pacientët për t’i detektuar anomalitë e fryteve në fazat sa më të hershme, për të pasur qasje për t’i trajtuar... Shërbimi tjetër që po them që pritet është shërbimi brenda këtij muaji, besoj deri në fund të këtij viti është shërbimi i IVF-së... Tash i kemi pajisjet më të mira të mundshme që shërbejnë për procedurat e IVF dhe besoj që kah fundi i vitit do të fillojmë me pacientët. E para, trajtimi i tyre me marrjen e anamnezës, analizës, intervenimi dhe procedura e IVF”, shprehet drejtori i KOGJ-it.

Me renovimet e bëra është lehtësuar edhe puna e stafit mbështetës.

Ushtruesja e detyrës së kryeinfermieres së raportit paranatal, Qamile Zeqiraj tregon që është rritur kënaqshmëria e pacientëve për shërbimet që marrin.

Ajo shprehet e lumtur se në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë janë rritur edhe kapacitetet e mamive.

Zeqiraj: Rregullimi i infrastrukturës na e ka lehtësuar shumë punën neve si dhënës të shërbimeve

“Rregullimi i infrastrukturës na e ka lehtësuar shumë punën neve si dhënës të shërbimeve, gjithashtu e ka lehtësuar punën edhe për pacientët si dhe kënaqshmëria e pacienteve është shumë më e madhe, kushtet janë më të mira, komoditet ka më shumë... Këtë vit janë pranuar 20 mami, do të thotë se ka mjaftueshëm mbulueshmëri nëpër reparte, janë shpërndarë në proporcion me nevojat e reparteve”, thekson ajo.

Rinovimet në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë kanë ndodhur këtë vit dhe janë kryer nga Ministria e Shëndetësisë.

Vitin e kaluar në këtë klinikë kanë lindur mbi 7 mijë e 700 foshnje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat