​"Gratë, viktima të dhunës”, Haxhiu bën thirrje për veprim të menjëhershëm

Kosova

​"Gratë, viktima të dhunës”, Haxhiu bën thirrje për veprim të menjëhershëm

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 12:34
Mbi 80 për qind të viktimave të dhunës në familje vazhdojnë të jenë gra.

Dhuna në familje assesi nuk duhet të mbetet e izoluar brenda mureve të shtëpisë, kështu u tha në tryezën e organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) me temën “Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave: Politikat dhe avokimi, zbatimi dhe rruga përpara”. Përveç kësaj, aty u potencua se të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore kërkojnë mbështetje të përgjithshme.

Zëvendës-shefja e EULEX-it, Emily Rakhorst tha se mbi 80 për qind të viktimave të dhunës në familje vazhdojnë të jenë gra.

Ajo shtoi se dhuna vdekjeprurëse nga ana femicide është dëshmi se gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me dhunë në shtëpitë e tyre, në vendet e punës dhe në komunitet.

Rakhorst theksoi se të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore kërkojnë mbështetje të përgjithshme.

Rakhorst: Më shumë se 80 për qind të viktimave vazhdojnë të jenë vajza

"EULEX ka përkrahur institucionet e Kosovës gjatë gjithë këtyre hapave, duke ndihmuar në hartimin e politikave të ndryshme dhe rregulloreve. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, arritjet kohët e fundit, mund themi se ka shumë për t’u bërë...Më shumë se 80 për qind të viktimave vazhdojnë të jenë vajza. Sidomos dhuna vdekjeprurëse nga ana femicide është dëshmi për faktin se gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me dhunë në shtëpitë e tyre, në vendet e punës dhe në komunitet. Traditat patriarkale vazhdojnë të ketë ndikimin e roleve gjinore. Pastaj, varësia ekonomike e përkeqëson situatën. Shumë gra nuk kanë qasje në burime ose sisteme mbështetëse financiare...Të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore kërkojnë mbështetje të përgjithshme", tha Rakhorst.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dhuna nuk është një çështje që prek individët, porse sipas saj “është një plagë sociale që prek familjet, komunitetet dhe shoqërinë”.

Haxhiu potencoi se dhuna është një pengesë për barazinë gjinore, drejtësinë dhe zhvillimin shoqëror.

Haxhiu: Dhuna është një plagë sociale që prek familjet, komunitetet dhe shoqërinë

"Kjo nuk është vetëm një çështje që prek individë, por një plagë sociale që prek familjet, komunitetet dhe shoqërinë tonë në tërësi. Dhuna ndaj grave është një shkelje themelore e të drejtave të njeriut dhe një pengesë për barazinë gjinore, drejtësinë por po ashtu edhe për zhvillimin shoqëror...15:38 Para tri viteve nuk ka pasur kaq shumë debat e diskutim për dhunën në familje dhe nuk ka pasur debat e diskutim për çështjet dhe nuk ka pasur veprime më shumë sesa që ka gjatë këtij mandati. Adresimi i dhunës në familje dhe adresimi i dhunës me bazë gjinore është pjesë e programit tonë qeverisës, është një nga prioritetet. Qytetarët duhet ta dinë se dhuna në familje nuk është çështje private. Dhuna në familje assesi nuk duhet të mbetet mureve të shtëpisë, si e izoluar. Është përgjegjësi institucionale, e ekzekutivit, e legjislativit, është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë që të mbrojmë jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës", potencoi Haxhiu.

Nënkoloneli, drejtor i Divizionit për Siguri Publike të Policisë së Kosovës, Arbresh Ajvazi tha se policia është ndër aktorët kyç për hulumtimin dhe parandalimin e kësaj dukurie shqetësuese, duke iu referuar dhunës në familje.

Ai potencoi se sipas të dhënave statistikore dhuna në familje po shënon trend në rritje, e cila kërkon një qasje profesionale dhe serioze.

Ajvazi: Dhuna në familje kërkon një qasje profesionale dhe shumë serioze

"Policia e Kosovës është ndër aktorët kyç në parandalimin dhe hetimin e këtij fenomeni që është shumë shqetësues dhe jemi të angazhuar dhe të përkushtuar që këtë dukuri shqetësuese ta trajtojmë në një front të përbashkët me partnerët tanë, institucionet përgjegjëse, shoqërinë civile dhe në bashkëpunim të vazhdueshme me qytetarët e vendit dhe mediat...Të dhënat statistikore tregojnë që veprat penale të dhunës në familje shënojnë trendin në rritje në vendin tonë dhe si e tillë është e shndërruar një dukuri që kërkon vëmendjen e të gjithëve si dhe kërkon një qasje shumë profesionale dhe shumë serioze edhe nga Policia e Kosovës...Policia e Kosovës në kuadër të strukturës së vet organizative ka ngritur kapacitetet e saja në nivelin më të lartë... Kemi edhe hetimin e rasteve të targetuara nga niveli qendror", u shpreh Ajvazi.

Ndërsa, këshilltarja ligjore në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Suzana Krasniqi tha se gjykata tashmë ka pasur rastin që të shqyrtojë raste të lidhura me dhunën në familje. Në këtë aspekt, sipas saj janë gjetur shkelje të detyrimeve kushtetuese nga autoritetet shtetërore.

Krasniqi: Gjykata Kushtetuese aspekt ka gjetur shkelje të detyrimeve kushtetuese nga autoritetet shtetërore

“Me përfshirjen e Konventës së Këshillimit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje e njohur ndryshe si konventa e Stambollit në vitin 2020 në listën e instrumenteve ligjore ndërkombëtare drejtpërdrejtë të zbatueshme në rendin juridik të Kosovës, kuadri normativ tashmë mishëron standardin më të lartë ndërkombëtar. Vet dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të përcjella nga një praktikë tashmë e bollshme e gjykatës si shtesë e konventës e evropiane për të drejtat e njeriut dhe praktikës detyruese gjyqësore të gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut janë pjesë e kuadrit më të gjerë që udhëheqin vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese...Gjykata ka pasur tashmë rastin që të shqyrtojë raste të lidhura me dhunën në familje. fatkeqësisht, raste ato të cilat kanë përfunduar me vrasjen e viktimave. Dhe në këtë aspekt ka gjetur shkelje të detyrimeve kushtetuese nga autoritetet shtetërore", tha Krasniqi.

Në këtë tryezë të organizuar nga EULEX u mbajt edhe një panel ku morën pjesë krerë nga Policia e Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë e institucione të tjera të rëndësishme të kësaj fushe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat