“Shpejtimi sh.p.k.” ishte kompania e vetme që plotësoi kriteret për bartjen e maturantëve të 5 shkollave të kryeqytetit në Shqipëri.
Kështu të paktën thonë 5 drejtorët e këtyre shkollave të cilët refuzuan që të flasin para kamerës së Kiksit.
Drejtoresha e shkollës së mesme të lartë ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, Teuta Rushiti Govori ndonëse fizikisht nuk pranoi të takonte ekipin e Kiksit, përmes postes elektronike drejton gishtin nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Pyetjeve të emisionit i iku edhe drejtori i Gjimnazit “Xhevdet Doda”, Isak Bregaj.
Në vendin e punës, ekipi i Kiksit nuk e gjeti drejtorin e Gjimnazit “Sami Frashëri”, dhe përmes emailit nga kjo shkollë u arsyetuan që kompania përzgjedhëse i ka plotësuar kriteret që ata kishin kërkuar.
Sipas drejtorisë së kësaj shkolle, e për dallim nga ajo që thonë kompanitë ankuese, këto kompani janë njoftuar për afatin e ankesave nga DKA.
Në Gjimnazin “Ahmet Gashi”, nuk janë përfillur asnjë nga kompanitë konkurruese, kjo pasi duke u bazuar në atë që ka deklaruar prapa kamerave Haxhi Metaj, përzgjedhja e kompanisë është bërë me vullnetin e prindërve dhe ata kanë vendosur, ani se çmimi ka qenë pak më i lartë se sa kompanitë tjera.
Kjo pasi sipas Metajt, ata kanë vlerësuar se kompania “Shpejtimi sh.p.k” u kishte ofruar më shumë siguri dhe komoditet.
Deri sa të tjerët lënë fajtor DKA-n, shkolla e mesme teknike “28 Nëntori”, pa hapur fare thirrje për këtë aktivitet, i është bashkuar gjimnazit “Hoxhë Kadri Prishtina” në ekskursionin e maturantëve në Shqipëri.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Zyrafete Lokaj Kafexholli tha se kishin marrëveshje paraprake mes dy shkollave për të njëjtën gjë.
Për kreun e “Gjin Gazullit”, Bujar Gjocaj, gjithçka ishte në rregull, pasi sipas tij kriteret kanë qenë të vendosura nga Drejtoria e Arsimit dhe se fituese është përzgjedhur pasi ishte më i përgjegjshmi nga kompanitë konkurruese.