Ibrahimi, i pakënaqur me bashkëpunimin mes AKK-së dhe Qeverisë

Kosova

Ibrahimi, i pakënaqur me bashkëpunimin mes AKK-së dhe Qeverisë

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 15:01
Sazan Ibrahimi

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka shprehur shqetësimin për mbështetje të pabarabartë ndaj komunave nga ana e Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se kërkesat e paraqitura nga kryetarët e komunave janë shpesh të neglizhuara.

Në emisionin “Fol me Arin” ai tha se ky vit ka shënuar një pabarazi të theksuar në ndarjen e mjeteve buxhetore nga ministritë e linjës, duke theksuar se disa komuna kanë marrë mbi 100 euro për kokë banori, ndërsa të tjera as dy euro.

“Kemi komunë që këtë vit nga mjetet financiare të alokuara nga ministritë e linjës i kanë marrë mbi 100 euro për kokë banori, por kemi komunë që nuk ka marrë as dy euro për kokë banori’’, ka thënë Ibrahimi, duke shtuar se AKK kërkon themelimin e grantit të 4-të për investime kapitale, i cili ishte premtuar nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës parazgjedhore.

“Ne po kërkojmë themelimin e grantit të 4-të për investime kapitale, sepse ka qenë premtim i Lëvizjes Vetëvendosje në fushatën parazgjedhore”, u shpreh ai.

Ai po ashtu, ka ngritur shqetësime lidhur me “gjakderdhjen financiare” që sipas tij po shkaktohet nga kontratat kolektive nëpër komuna, duke përmendur se disa komuna kanë shpenzuar më shumë përmes përmbaruesve dhe avokatëve, duke i rënduar më tej buxhetet lokale.

“Në një komunë, nëse mësimdhënësve ju takojnë 240 mijë euro për kontrata kolektive përmes përmbarimeve gjyqësore, avokatëve, kostoja 240 mijë euro po bëhet 360 mijë euro, dhe ky 120 mijë euro apo 50% nga vlera totale, po merret nga taksapaguesit kosovarë. Këtë e kemi ngritur në qeveri por edhe në parlament kemi pas diskutim me kryetarin e parlamentit Glauk Konjufca që ja kemi elaboru në detaje këtë gjakderdhje financiare por nuk merret asnjë hap nga qeveria dhe nga parlamenti”, tha ai.

Ibrahimi ka theksuar se, pavarësisht kësaj, komunat e Kosovës janë shembuj të mirë të transparencës dhe bashkëpunimit të suksesshëm me qeveritë e kaluara, ndërsa ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit me qeverinë aktuale.

“Me qeveritë e kaluara kemi pas bashkëpunim, ndoshta nuk kemi qenë shumë prezentë nëpër media sepse jemi ulur dhe kemi diskutuar dhe i kemi zgjidhur problemet, por me këtë qeveri po është problem bashkëpunimi. Për këtë arsye, problemet të cilat i kemi ngrit që disa vite më herët në këtë qeveri, siç ka qenë granti i 4-të, amandamenti i ministrit për prokurimin publik, kontratat kolektive, pra këto kanë qenë çështjet që nuk janë të zgjidhur”, potencoi Ibrahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat