Një tërmet me magnitudë 4.2 ka goditur pas mesnate Kosovën, duke u ndjerë më fuqishëm në rajonin e Prizrenit.
Shemsi Mustafa, drejtor i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës ka dhënë detaje mbi aktivitetin sizmik.
Mustafa bëri të ditur se tërmeti ishte pasuar po ashtu nga një pasgoditje në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 4:00, me magnitudë 3.0.
“Ky tërmet që ndodhi ka qenë goditja kryesore, pasgoditje të tërmetit kemi pasë edhe në orët e hershme të mëngjesit, në orën 4 me 3.0 shkallë”.
“Kosova gjendet në një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë, ku janë të mundshme tërmete me magnitudë deri në 6.5-7 shkallë të Rihterit”, tha ai, duke shtuar se zonat më të rrezikuara përfshijnë rajonin e Dukagjinit, nga Istogu në Prizren, si dhe Ferizajn, Vitinë, Gjilanin dhe veriun e Kosovës.
Drejtori i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës theksoi po ashtu rëndësinë e kujdesit dhe përgatitjes në rast tërmetesh që qytetarët duhet të ndërmarrin.
“Duhet të kujdesemi për familjen që të mos jenë afër ndonjë objekti që mund të bie, dhe në momentin që përfundon duhet në mënyrë të organizuar të dilet nga ndërtesa, sepse vendi më i sigurt kur ndodh tërmeti është hapësira e jashtme”, apeloi Mustafa.
Eksperti ritheksoi se asnjë pjesë e territorit të Kosovës nuk është e përjashtuar nga rreziku sizmik.
Mustafa njëherësh bëri thirrje për ndërgjegjësim më të madh ndaj këtyre fenomeneve natyrore.