Sokol Haliti, kryetar i komunës së Vitisë dhe kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), së bashku me Zef Morinën, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), realizuan një vizitë në Stubllën e Epërme, ku u takuan me struktura partiake dhe qytetarë të shumtë.
Gjatë takimit, Haliti theksoi mbështetjen tradicionale që Stublla i jep LDK-së dhe PSHDK-së, duke vënë theksin te fryma e përbashkët për ndryshim që pritet më 9 shkurt, nën drejtimin e kandidatit të LDK-së për Kryeministër, Lumir Abdixhiku.
“PSHDK-ja ka qenë një shtyllë e rëndësishme në skenën politike të Kosovës, duke kontribuuar në avancimin e çështjes kombëtare dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit tonë,” tha Haliti.
Nga ana tjetër, Morina përmendi vizionin e PSHDK-së si një forcë djathtiste të përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik, promovimit të vlerave kombëtare dhe integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Takimi në Stubllën e Epërme u konsiderua si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin mes këtyre dy partive dhe për të motivuar qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimit në zgjedhjet e ardhshme.