Komuna e Kamenicës ka njoftuar se 145 studentë kanë përfituar bursë komunale në vlerë prej 46 mijë e 600 euro.
Në mesin e studentëve janë 90 vajza dhe 55 djem përfitues të bursave.
Ndërsa, kryetari i komunës, Kadri Rahimaj tha se këta të rinj me potencial të jashtëzakonshëm për fushën e shkencës, kulturës, gjuhës e artit janë edhe gjallëri e qytetit tonë.
“Dita e shtunë na gjeti me të ri e të reja nga Kamenica, të dalluar në fushat e tyre të studimit, tashmë edhe përfitues të bursës komunale. Kamenica po dëshmon për kuadro që mund t’i shërbejnë komunitetit dhe sfidave globale, e tillë është Esma Fera”, tha ai, duke theksuar se në muajin maj të vitit 2025, do t’i përfundoj studiment në Amerikë.
“Esma do të përfundojë studimet në Amerikë në fushën e biologjisë molekulare dhe qelizore kur fusha e saj e studimeve është zbulimi i hershëm i gjeneve të caktuar që ndihmojnë zbulimin e hershëm të kancerit të vezoreve”, ka theksuar ai.
Rahimaj shton se mbështetja për studentët do të vazhdojë.