Në kuadër të Javëve të Biznesit Kosovar 2024, një delegacion i bizneseve kosovare dhe atyre të diasporës, të udhëhequr nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, kanë vizituar fabrikën e këpucëve “Solid” në Suharekë.
Sipas njoftimit, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka vlerësuar lartë kontributin e kësaj fabrike si një shembull suksesi të prodhimit vendor.
“Jemi krenar që ju jeni prodhues vendor të mbi 200 modeleve të këpucëve, çizmave, sandaleve dhe patikave për të dy gjinitë, duke u shërbyer konsumatorëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Kjo vizitë po realizohet edhe me pjesëmarrjen e bizneseve nga Gjermania dhe shumë vende të tjera, për të eksploruar mundësi të reja për eksportin tuaj në tregjet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Shahini, thuhet në njoftimin e AKB-së.
Ndërkaq, Ahmet Kuqi, përfaqësues i fabrikës “Solid” në Suharekë ka deklaruar se rreth 80% e prodhimit të tyre eksportohet në tregjet e Bashkimit Evropian.
Ai ka pohuar se fabrika ka kapacitete të mjaftueshme për të furnizuar tregje me mbi 100 milionë konsumatorë.
“Jemi të interesuar të zgjerojmë eksportin tonë, pasi kapaciteti prodhues i fabrikës tonë mundëson përmbushjen e kërkesës edhe në tregje më të gjera. Aktualisht, kemi mbi 300 punëtore, të specializuara në prodhimin e të gjitha llojeve të mbathjeve”, është shprehur Kuqi.
Kjo vizitë shërben si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit midis bizneseve vendore dhe atyre të diasporës.