Në prag të Krishtlindjeve, Kori i Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë do të organizojë tri koncerte.
Sopranoja Arta Jashari do të mbajë sonte koncertin e parë recital “Songs of Seraphim”. Ndërsa, më 20 dhjetor, të premten në orën 19:00 do të mbahet “Koncerti i Krishtlindjes”, me ç’rast mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët.
Kështu bënë të ditur famullitari i Prishtinës, Agim Qerkini derisa tregon se këto koncerte i paraprijnë festës së Krishtlindjes, të cilat përmbajnë këngë krishtlindjesh dhe festive të kompozitorëve të ndryshëm vendorë e botërorë.
Katedralja “Nënë Tereza” organizon tri koncerte në prag të Krishtlindjes
Qerkini: Krishtlindjes i paraprijnë tri koncerte
"Përveç gjithë kësaj përgatitjeje shpirtërore në katedrale për Krishtlindje do të mbahen edhe tri koncerte siç është ai sonte i organizuar nga sopranoja Arta Jashari. Është një koncert recital ‘Songs of the Seraphim'. Pastaj koncerti tjetër do të mbahet nesër nga kori i katedrales, në katedrale me rastin e festës së Krishtlindjes. Këto koncerte i paraprijnë festës kryesisht në shumë vende, në shumë kisha dhe përmbajnë kryesisht këngë krishtlindjesh dhe festive të kompozitorëve të ndryshëm qofshin ata botëror apo edhe vendor në këtë rast këngëtarë shqiptar. Koncerti i nesërm do të mbahet në orën shtatë në mbrëmje këtu në katedrale. E veçoj edhe një koncert tjetër që do të mbahet më 23 dhjetor, të hënën që është i organizuar nga Fondacioni Rame Lahaj. Është kori i fëmijëve të Krishtlindjes, kori dhe orkestra ‘Amadeus'. Kori i fëmijëve ‘Okarina’ që në shtatë në mbrëmjes gjithashtu do të mbajë koncertin këtu në katedrale”, tha Qerkini.
Qerkini tha se koncertet janë pa bileta dhe mund të marrin pjesë të gjithë artdashësit.
Qerkini: Koncertet janë pa bileta dhe të hapura për artdashësit
“Koncertet kryesisht janë pa bileta, janë të hapur për të gjithë ata që janë artdashës dhe të kulturës dhe muzikës klasike. Kështu që ne i mirëpresim të gjithë ata që do të vijnë. Janë të hapur për të gjithë publikun dhe urojmë që të ketë njerëz vullnet mirë që do të vijnë dhe t’i shijojnë këto koncerte si parapërgatitje për këtë festë…Kori i katedrales ka një traditë edhe në famullinë e Prishtinës në përgjithësi. Të gjithë ata anëtarë të korit, të cilët nuk janë të gjithë të besimit katolik, por muzika i bashkon njerëzit në orkestër dhe janë vullnet mirë, shprehin edhe talentet e tyre marrë parasysh se numri më i madh i anëtarëve është në moshë të re, të talentuar, tenorë të ndryshëm”, tha Qerkini.
Krishtlindja është një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin festave të krishtera, e cila festohet çdo 25 dhjetor për të kujtuar lindjen e Krishtit.
Ajo pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes.
Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.
Në historinë e krishterë, lindja e Krishtit sjell mrekullinë e mishërimit: Zoti e bën veten plotësisht njerëzor duke marrë pamjen e një fëmije të pafuqishëm.