Pirja e duhanit po vazhdon në ambiente të mbyllura

Kosova

Pirja e duhanit po vazhdon në ambiente të mbyllura

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 06:30
Foto ilustrim

Ligji për kontrollin e duhanit duket se nuk po gjënë zbatim. Kjo për faktin se pirja e duhanit është duke u lejuar në masa të mëdha në hapësirat e mbyllura. E të pa kënaqur më këtë janë qytetarët. Kurse Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë KADC tregojnë se cilët janë shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji.

Pamjet si kjo nuk janë të rralla.

E me uljen e temperaturave, qëndrimi ne hapësira të mbyllura ku konsumohet duhani është më i vështirë në kryeqytet.

Hajrush Emini që e ka konsumuar cigaren për më shumë se dy dekada befasohet me numrin e madh të duhanpirëseve në ambiente të mbyllura.

“Qe 25 vjet e kam lanë duhanin, por po habitem me disa që e ndezin cigaren kur e din që në atë ambient ka njerëz të sëmurë. Me ditë ata sa i dëmshëm është kurrë nuk e kishin pi”, thotë ai.

E ka edhe nga ata që nuk hynë në atë lokal që pihet duhani.

“Unë së pari si të pihet duhani në atë vend nuk hy hiç. Nuk është e mirë, mos ia bë askujt atë që ski qef me te bërë dikush. Nëse e pi, pije për vete. Për atë shteti duhet me funksiono që me u nda vendet se ku janë duhanxhi”, thotë Fatmir Muqolli.

Që nga maji i vitit 2013, është ligji që e ndalon duhan-pirjen në hapësira të mbyllura.

E se ky ligj nuk u respektua në disa raste e thonë edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Deri më tani janë shqyrtuar 1920 gjoba për subjektet që nuk kanë respektuar ligjin për kontrollin e duhanit”, thuhet nga MSH.

Krahasuar me vitin 2023 që janë shqiptuar 1070 gjoba, këtë vit ky numër është rritur.

Se ky ligj nuk po gjen zbatim tash e sa vite e thonë edhe në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë, KADC.

“Sa i përket pirjes së duhani në hapësira të mbyllura,gjegjësisht në vende publike jemi të gjithë dëshmitarë që shkeljet janë të vazhdueshme, dhe po ndodhin pa ndërprerë. Është një situatë e tillë që disa vite duke përjashtuar vitet e para të hyrjes në fuqi të ligjit që kemi pasur një zbatim në të mirë të ndalimi të pirjes së duhanit në vende publike” , thotë Shkumbin Spaihja.

Sipas tij, si shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji janë lokalet e gastronomisë.

“Një ndër arsyet kryesore është për shkak se këto biznese nuk janë monitoruar ndoshta në mënyrë sistematike për ti detyruar që të respektojnë dhe të zbatojnë masat e ligjit për kontrollin e duhanit gjegjësisht ndalimin e pirjes së duhanit në vende të mbyllura. Gjithashtu është vonesa në shqiptimin e gjobave të cilët marrin këta shkelës”, thotë Shkumbin Spahija nga KADC

Ndërkohë në tërë territorin e Kosovës janë 49 Inspektorë Sanitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat