Vetura i ka mbetur aty, e nuk mund ta nxjerrë.
Kjo shkaku i borës së madhe që ra edhe në fshatin Keqekollë të Prishtinës.
Hidajet Avdyli dhe familja e tij kanë mbetur të bllokuar meqë rruga që të dërgon në shtëpinë e tij është e pa asfaltuar, arsye për të cilën thotë se nuk është pastruar nga kompania.
“S’po na çelin, deri këtu e kanë qel, këtu e poshtë i kam përafërsisht nja dy kilometra a po e sheh edhe kerri më ka mbetë atje, edhe lopët i kam poshtë, s’po mundem me bo zgjidhje kurgjo hiç”, ka theksuar Hidajet Avdyli, banor i fshatit Keqekollë.
Avdyli thotë se çdo lëvizje në këtë kohë iu duhet ta realizojnë në këmbë.
“Qysh?, duhet në këmbë, s’ka a po e sheh komuna, ajo kompania që na e ka tenderin për me pastru rrugën nuk na kanë qelë neve, deri këtu e kanë qel na nuk i kemi fajet qe nuk e kanë shtru në aspfalt, ku s’ka asfalt nuk e pastrojmë, jo duhet me pastru valla”, ka thënë tutje Avdyli.
Megjithatë, që nga orët e mëngjesit, Nazmi Krasniqi nga kompania e kontraktuar prej komunës, është duke dhënë maksimumin që t’i pastrojë të gjitha rrugët në këtë pjesë.
Ai thotë se nuk ka rrugë e cila është e asfaltuar e që nuk është e kalueshme.
“Kemi fillu me pastrim prej ores 05:00 të mëngjesit, kemi hapur të gjitha rrugët që kemi në Gollak në fshatin Koliq, kemi hapur rrugët kryesore edhe dytësore, të gjitha rrugët që i kemi në kontratë, asnjë rrugë nuk është e pakalueshme”, ka theksuar ai.
Për dallim nga fshtarat e kryeqytetit ku edhe mund të hasen vështirësi, në qytet rrugët janë plotësisht të hapura.
Edhe trotuarët ishin të kalueshme.
Të tilla, sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi janë edhe rrugët tjera nacionale, të cilët i menaxhojnë.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë në teren dhe janë duke intervenuar vazhdimisht në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme. Sipas raportimeve nga tereni të gjitha rrugët që janë përgjegjësi e ministrisë janë të hapura. Ju lutemi që të keni kujdes gjatë vozitjes duke respektuar rregullat dhe përshtatur kushteve klimatike”, ka deklaruar Durmishi.
Reshjet e borës kanë vazhduar thuajse gjatë tërë ditës së mërkurë.