Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë vikendit, më 28 dhe 29 dhjetor 2024, pritet që moti të jetë i qëndrueshëm dhe pa reshje, falë ndikimit të një fushe të presionit të lartë atmosferik.
Sipas IHMK, ky stabilitet atmosferik, i shoqëruar me erëra të dobëta dhe lagështi të lartë, krijon kushte të favorshme për grumbullimin e ndotësve në ajër, duke ndikuar në cilësinë e tij.
Për ditën e shtunë, më 28.12.2024, IHMK ka parashikuar se moti do të jetë kryesisht i vranët e me intervale me diell.
“Temperaturat: minimale nga -4 deri në -2°C; maksimale nga 0 deri 3 gradë Celsius. Era: do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-2 m/s” – thuhet në njoftimin e IHMK, më 27.12.2024.
Kurse, për ditën e dielë, më 29.12.2024, IHMK parasheh temperatura minimale nga -5 deri në -2°C.
“Temperaturat maksimale nga 2 deri në 4°C. Era: do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 0.5-1 m/s” – ka njoftuar IHMK.
IHMK ka këshilluar qytetarët, fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme respiratore, që të shmangin qëndrimin e zgjatur në ambiente të hapura, veçanërisht në zona urbane ku ndotja është më e theksuar.
Ndërsa, për pjesëmarrësit në komunikacion, IHMK këshillon që të tregojnë kujdes të shtuar këto ditë.
“Ju këshillojmë që të kujdeseni për veshje të përshtatshme dhe të përgatiteni për kushtet e ngricave dhe mjegullës, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit. Pjesëmarrësit në komunikacion duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve, duke pasur parasysh që rrugët, sidomos në zonat malore, mund të jenë të rrëshqitshme gjatë gjithë kohës për shkak të temperaturave të ulëta që do të mbizotërojnë në ato zona” – ka shtuar IHMK.