Segmentet e rrugës mes Vushtrrisë e Mitrovicës mbeten të papërfunduara

Kosova

Segmentet e rrugës mes Vushtrrisë e Mitrovicës mbeten të papërfunduara

Më: 29 dhjetor 2024 Në ora: 09:04
Foto ilustrim

Punimet e stërzgjatura në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë po vështirësojnë qarkullimin e përditshëm të qytetarëve. Qytetarët presin zgjidhje të shpejtë, ndërsa nga Ministria e Infrastrukturës nuk kanë dhënë informacione rreth projektit.

Ndonëse 5.5 kilometra rrugë nga Stanoci deri në hyrje të Vushtrrisë janë përuruar javë më parë, magjistralja Prishtinë-Mitrovicë ende nuk është afër përfundimit.

Punimet në segmentin Vushtrri-Gojbulë po vazhdojnë, por nga Smrekonica deri në Mitrovicë ende nuk kanë filluar. Qytetarët që qarkullojnë pothuajse çdo ditë në këtë segment që përfshinë rreth 5 kilometra, shpresojnë që kjo rrugë të rregullohet.

“Normal që për neve është e rëndësishme, se na përditë kësaj rruge kalojmë, nuk kemi rrugë alternative tjetër, për neve si qytetarë të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë që qarkullojmë magjistrales është shumë e rëndësishme rregullimi  I rrugës”, tha për RTK, Fisnik Baliu qytetar.

RTK ka pritur të marrë një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës lidhur me atë se kur pritet të fillojnë punimet në këtë segment rrugor, por që nga dita e hënë nuk janë përgjigjur.

Për përfundimin e kësaj rruge, Fondi Saudit për Zhvillim i ofroi Kosovës kredi shtesë prej 15 milionë eurosh. Përmes kredisë do të mbështetet rehabilitimi i rrugës nga segmenti Smrekonicë deri në Mitrovicë.

Punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë kanë filluar në vitin 2009. Pas më shumë se një dekade, segmenti prej rreth 30 kilometrave ende nuk ka përfunduar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat