Punimet e stërzgjatura në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë po vështirësojnë qarkullimin e përditshëm të qytetarëve. Qytetarët presin zgjidhje të shpejtë, ndërsa nga Ministria e Infrastrukturës nuk kanë dhënë informacione rreth projektit.
Ndonëse 5.5 kilometra rrugë nga Stanoci deri në hyrje të Vushtrrisë janë përuruar javë më parë, magjistralja Prishtinë-Mitrovicë ende nuk është afër përfundimit.
Punimet në segmentin Vushtrri-Gojbulë po vazhdojnë, por nga Smrekonica deri në Mitrovicë ende nuk kanë filluar. Qytetarët që qarkullojnë pothuajse çdo ditë në këtë segment që përfshinë rreth 5 kilometra, shpresojnë që kjo rrugë të rregullohet.
“Normal që për neve është e rëndësishme, se na përditë kësaj rruge kalojmë, nuk kemi rrugë alternative tjetër, për neve si qytetarë të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë që qarkullojmë magjistrales është shumë e rëndësishme rregullimi I rrugës”, tha për RTK, Fisnik Baliu qytetar.
RTK ka pritur të marrë një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës lidhur me atë se kur pritet të fillojnë punimet në këtë segment rrugor, por që nga dita e hënë nuk janë përgjigjur.
Për përfundimin e kësaj rruge, Fondi Saudit për Zhvillim i ofroi Kosovës kredi shtesë prej 15 milionë eurosh. Përmes kredisë do të mbështetet rehabilitimi i rrugës nga segmenti Smrekonicë deri në Mitrovicë.
Punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë kanë filluar në vitin 2009. Pas më shumë se një dekade, segmenti prej rreth 30 kilometrave ende nuk ka përfunduar.