Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti deklaroi se është e papranueshme ndërprerja e energjisë elektrike në këtë kohë dimri, ku temperaturat kanë filluar të bien me të madhe.
Për KP, Haliti derisa thotë se është kthyer terri pas 25 viteve, thekson se me ndërprerjen e rrymës janë shtuar problemet në qytet që lidhen edhe me funksionimin e emergjencës. Porse, nënvizon se para se të gjithash ka problematikë në funksionimin elementar të shtetit.
Haliti: Është kthyer terri pas 25 viteve
“Është kthyer terri pas 25 viteve. 2024/2025 ndërrimi i motomoteve është afruar dhe është kthyer terri. Është e papranueshme mërgata me ardhë dhe mos me pas energji elektrike. Është e papranueshme këto ditë të ftohta, ku kanë filluar të zbresin shumë, të kthehet terri. Prandaj, kemi problematika edhe në qytet, emergjencë, kemi problematika në funksionim elementar të shtetit”, thotë Haliti.
Gjatë ditëve të fundit shumë zona të vendit kanë mbetur në terr për orë të tëra. KOSTT dhe KEDS kanë raportuar për rritje enorme të konsumit me uljen e temperaturave deri në 1400 MW në orë dhe mbingarkesë në sistem, andaj është bërë thirrje për kursim. Ndërkohë nuk kanë munguar protestat e qytetarëve në shenjë pakënaqësie.