"Duam të jemi aty ku janë të gjithë" – Beteja e gjatë për qasje të barabartë

Kosova

"Duam të jemi aty ku janë të gjithë" – Beteja e gjatë për qasje të barabartë

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 17:37
Foto ilustrim

Rritja e pensioneve dhe lehtësimi i disa procedurave administrative përbëjnë disa nga arritjet pozitive për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë gjatë vitit 2024. Megjithatë, infrastruktura që garanton qasje të barabartë për ta në hapësira publike vazhdon të jetë një fushë me mungesë të theksuar progresi.

I veshur me një bluzë të gjelbër, me një shikim të butë dhe me dorën mbi telekomandën e karrocës. Ky është portreti i Faruk Kukajt, i cili që një vit është përjetësuar në një mural në njërën nga lagjet qendrore të Prishtinës.

“Jam ndër personat e parë që kam dalë nëpër qytetin e Prishtinës me karrocë elektrike që në vitet e ‘70-ta”, kujton Kukaj, të cilit sëmundja ia ka pamundësuar ecjen që nga lindja.

Burri 58-vjeçar thotë se pamja e muralit e bën të ndihet mirë, pasi ishte një iniciativë e organizatës ku ai punon, Handikos, e cila merret me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe i kushtohet këtij komuniteti.

Përurimi i portretit u bë nga vetë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili atëherë shkroi në rrjetin social, Facebook, se institucioni që e udhëheq do të vazhdojë përpjekjet “për respektimin e të drejtave të çdo individi” në kryeqytetin e Kosovës.

Përtej nderimit që ndien nga murali, Kukaj thotë se rrugët dhe hapësirat e Prishtinës, ku i duhet të kalojë çdo ditë, ia zbehin ndjenjën e të qenët i pranuar.

“Infrastruktura rrugore, në përgjithësi, nuk është e përshtatshme. Ka disa rrugë ku janë ulur nivelet e trotuareve, por ka shumë të tjera që nuk kanë fare rampa”, tregon ai.

Kukaj ka tashmë pesë vjet që ka nisur një betejë ligjore kundër diskriminimit, të cilin thotë se e përjeton si përdorues i karrocës.

Në vitin 2018, ai paditi Komunën e Prishtinës, duke kërkuar më shumë se 300 mijë euro dëmshpërblim për dëme materiale dhe shpirtërore.

Gjithashtu, Kukaj i kërkoi gjykatës që ta detyrojë Komunën të krijojë kushte infrastrukturore, në mënyrë që diskriminimi ndaj tij të mos vazhdojë më tej.

Në vitin 2022, gjykata në Prishtinë ia aprovoi pjesërisht padinë, duke e njohur diskriminimin, por i caktoi një dëmshpërblim prej vetëm 5.500 eurosh.

Faruk Kukaj para zyrës së tij, në shoqatën Handikos.

I pakënaqur me këtë vendim, Kukaj bëri menjëherë ankesë në Gjykatën e Apelit, në fund të vitit 2022.

“Që atëherë nuk kemi marrë asnjë përgjigje apo ndonjë informacion tjetër…”, thotë Kukaj.

Gjykata e Apelit, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se lënda është në proces, pa dhënë detaje të tjera.

Komuna e Prishtinës, e cila po ashtu kishte apeluar vendimin e parë gjyqësor, nuk është deklaruar lidhur me këtë proces.

Përveç Kukajt, një padi të ngjashme ngriti edhe Astrit Hasani, përdorues i karrocës nga Mitrovica e Jugut, qytet në veri të Kosovës.

Në vitin 2018, ai paditi Komunën e Mitrovicës së Jugut për shkak se objekti ku ofrohen shërbimet e pensioneve nuk kishte qasje për përdoruesit e karrocave, ndërsa shërbimet duhej të merreshin në katin e tretë.“Mua më vinin poshtë personat [për të më ndihmuar], por unë nuk dua të ndihem i paragjykuar. Ndihesha keq. Pavarësisht se nuk jam në këmbët e mia, kam të drejtë t’i kryej punët e mia vetë”, thotë ai.

Hasani tregon se, deri në shtator të vitit 2024, gjykata nuk e kishte ftuar për ndonjë seancë lidhur me këtë rast, ndërsa lënda është ende në proces.

Radio Evropa e Lirë kërkoi detaje mbi këtë rast nga Komuna e Mitrovicës së Jugut, dhe është në pritje të përgjigjeve.

Hasani thotë se ka dëgjuar që, ndërkohë, në objekt janë kryer disa punime, por ato, sipas tij, janë vonuar, “pasi padinë e kam bërë vite më parë”.

Në padi, ai ka kërkuar edhe një dëmshpërblim prej 10 mijë eurosh, dhe shprehet se pret një vendim pozitiv nga gjykata.

Në Kosovë, as pas regjistrimit të fundit të popullsisë, nuk dihet me saktësi numri i personave që janë përdorues të karrocës.

Megjithatë, sipas të dhënave të vitit 2022 të Ministrisë së Financave, mbi 2.500 persona ishin përfitues të pensionit për personat me probleme të lëvizjes së gjymtyrëve, ose, siç njihen, paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Një karrocë që kalon në mes të veturave në Prishtinë, për shkak të lartësisë së trotuareve.

Rrugët, shkollat e kafenetë: Vendet e vështira për qasje me karrocë

“Shumica e komunave vazhdojnë të shkelin të drejtat e personave me aftësi të kufizuara për qasje në objekte dhe hapësira publike”, deklaroi Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, gjatë një fjalimi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, më 3 dhjetor.

Në një hulumtim të këtij institucioni, të realizuar në vitin 2023, i fokusuar në komunat e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt, u gjet se problemi i qasjes për përdoruesit e karrocave është ndër më të theksuarit në këto qytete.

“Janë hasur pengesa të ndryshme fizike, që bllokojnë, uzurpojnë, zënë, ngushtojnë, ngrenë nivelin e sipërfaqes së trotuarit, e të tjera”, thuhet në hulumtim.

Nga këto tri komuna, vetëm Prizreni i është përgjigjur REL-it deri më tani, duke deklaruar se aktualisht qëndrojnë mirë në aspektin e ofrimit të qasjes për personat me aftësi të kufizuara.

“Nuk ka mbetur asnjë projekt ku nuk është marrë parasysh qasja për personat me aftësi të kufizuara... Natyrisht, edhe gjatë vitit 2025 do të punohet në këtë drejtim”, tha drejtori komunal i shërbimeve publike, Çelë Lamaj.

Trotuari i paqasshëm në vendkalimin për këmbësorë, në një nga lagjet e Prishtinës.

Kukaj, nga Prishtina, megjithatë, insiston se nuk duhet menduar vetëm për qasjen rrugore.

Sipas tij, përveç problemeve në sektorin publik, mungon vetëdija edhe nga ana e bizneseve private, qofshin ato të gastronomisë apo të transportit, për të ofruar qasje për personat e këtij komuniteti.

“Ne kemi të drejtë, si qytetarë të Kosovës, të jemi të pranishëm kudo që janë qytetarët e tjerë”, thotë ai.

Probleme të theksuara në qasje dhe përshtatshmëri për personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të kenë edhe objektet shkollore dhe institucionet e tjera publike.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Handikos-i, vetëm 283 nxënës me aftësi të kufizuara ndjekin mësimet në 13 shkolla të Prishtinës, nga një total prej 16.050 nxënësish.

“Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla është shumë e ulët, dhe mësimdhënia nuk bazohet në nevojat individuale të fëmijëve. Gjithëpërfshirjen e vështirëson edhe më shumë mungesa e stafit profesional dhe mbështetës, si asistentët për fëmijët me aftësi të kufizuara, apo mësimdhënësit mbështetës”, thuhet në hulumtim.

Një nga qendrat për marrjen e pensioneve në kryeqytetin kosovar, pa qasje për personat me aftësi të kufizuara.

Rritja e pensioneve – “e mirëpritur, por jo e mjaftueshme”

Më 7 tetor 2024, Qeveria e Kosovës vendosi të rrisë pensionet për disa kategori, duke përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara.

Kjo rritje, prej 20 për qind, u pa si hap pozitiv nga komuniteti i personave me aftësi të kufizuara. Megjithatë, konsiderohet ende e pamjaftueshme për të adresuar nevojat e tyre.

Në disa raportime të Radios Evropa e Lirë ndër vite, persona që janë përdorues të karrocës janë ankuar se pensionet, të cilat varionin nga 150 deri në 370 euro, janë të pamjaftueshme.Me rritjen e fundit, ky pension u bë 180 euro për njërën kategori, dhe 430 euro për tjetrën.

Në një deklaratë publike, Handikos-i e ka mirëpritur rritjen e pensioneve.

Megjithatë, organizata ka theksuar se kjo “duhej të bëhej në bazë të një vlerësimi të nevojave të grupeve të ndryshme të shoqërisë, dhe jo në mënyrë lineare për të gjithë, pasi që nevojat janë të ndryshme”.

“E kam parë këtë zhvillim si një nismë të mirë, por jo të mjaftueshme, duke u bazuar në vetë nevojat e personave me aftësi të kufizuara”, thotë Kukaj.

Sipas tij, për shkak të nevojës për asistentë, për shërbime mjekësore dhe të tjera, pensionet mbeten ende shumë të ulëta për të mundësuar një jetesë me dinjitet.

“Është thuajse e pamundur të jetohet vetëm me mbështetjen e pensionit, ose me atë që ofrojnë institucionet përkatëse”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat