Dermaku: Qytetarët duhet ta dinë ku po i japin të dhënat personale, vjedhja e identitetit është vjedhje e jetës

Kosova

Dermaku: Qytetarët duhet ta dinë ku po i japin të dhënat personale, vjedhja e identitetit është vjedhje e jetës

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 20:11
Krenare Sogojeva-Dermaku

Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka thënë se qytetarët nuk e dinë rrezikun që iu vjen nga shkelja e privatësisë së tyre nga kontrollues të ndryshëm.

Sipas saj qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ku po i japin të dhënat personale, pasi siç ka thënë ‘në epokën digjitale vjedhja e identitetit është vjedhja e jetës së njeriut’.

“E para nuk e dinë qytetarët rrezikun që iu vjen nga shkelja e privatësisë së tyre, mbledhja e të dhënave personale nga kontrollues të ndryshëm do të thotë nga biznese të ndryshme, aplikacione të ndryshme dërgon deri te identifikimi i personit, dërgon deri te vjedhja e identitetit. Në epokën digjitale vjedhja e identitetit është vjedhja e jetës së njeriut prandaj është shumë e rëndësishme që ne ta mbrojmë identitetin tonë, ti mbrojmë të dhënat tona përmes të cilave ne identifikohemi”, ka deklaruar ajo.

Sogojeva-Dermaku ka shtuar se Agjensia për Informim dhe Privatësi në janarin e vitit të ardhshëm do të lansojë një platformë përmes së cilës do t’i shohin në kohë reale se ku po shkojnë të dhënat e qytetarëve.

“Ajo që është premtuese është fakti që në janarin e vitit të ardhshëm ne do ta lansojmë një platformë të mbështetur nga ambasada amerikane që në kohë reale, në 24 orë do të na tregojë rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve tonë në të gjithë ofruesit e shërbimeve të internetit në Kosovë, pra ne në kohë reale do ti shohim se ku po shkojnë të dhënat e qytetarëve nga cili kontrollues po rrjedhin këto të dhëna dhe normalisht do t[ë ndërmarrim veprimet tona sipas legjislacionit në fuqi”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat