Të moshuarat rrëfejnë përjetimet që kanë kaluar ndër vite

Kosova

Të moshuarat rrëfejnë përjetimet që kanë kaluar ndër vite

Më: 1 janar 2025 Në ora: 19:23
Të moshuarat rrëfejnë përjetimet që kanë kaluar ndër vite

Përjetimet që kanë kaluar ndër vite, kanë lënë gjurmë në fytyrat e tyre. Flokëthinjur dhe plot shpresë në sytë e tyre. Janë shumë të dashur kur takojnë një person të ri që u shkon në vizitë.  Dëshirojnë të tregojnë për momentet e mira që i kalojnë dhe së kanë shumë përkujdesje të mirë nga stafi. Janë këta banorët rezidentë në  Shtëpinë  e Personave të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë të cilët, në fundvit i vizitoi Radio Kosova për të parë nga afër kushtet në të cilat ata jetojnë.

“Pa to s’mund ta bëj ditën!” Kështu thotë Fate Maxhuni, nga Gjakova e cila tash e dhjetë muaj jeton në Shtëpinë e Personave të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë. Është aq e lidhur me stafin e kësaj qendre, sa që kur shkon për vizitë në Gjakovë, thotë se e ndien mungesën e stafit. Kjo e moshuar, në një rrëfim për Radio Kosovën thotë se Shtëpinë e Personave të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë e cilëson si shtëpi të sajën.

“Unë në shtëpinë e pleqve të premten i kam mbushur dhjetë muaj. Unë prej ditës që kam ardhur, kam pasur një pritje të ngrohtë si nga shefat, si nga terapeutikët si nga banoret e nga të gjithë. Gjatë ditës jemi të lira të merremi me të gjitha aktivitetet që ne i duamë e na pëlqejnë. Edhe me ushqimin jam shumë e kënaqur. Ushqehemi tri herë në ditë”, tha ajo.

Kjo nënë dëshmori thotë se puna e dorës, stafi dhe shoqet me të cilat jeton se bashku, i japin ngrohtësi, pasi që nuk ka mundësi përkujdesjeje nga familjarët e saj. Ajo thotë së është shumë e kënaqur me shërbimet që i marrin.

“Me stafin shëndetësor jam shumë e kënaqur, sillën shumë mirë. Na japin terapinë me rregull, vijnë na përshëndesin na thonë mirëmëngjesi e natën e mirë. Gjatë ditës punojmë punëdore, si xhemperë, çorape, kapele etj. Punoj më shumë për ta kaluar kohën e lirë. Punëtorët terapeutikë janë shumë  të mirë, pa to s’mund ta bëj ditën. Mungesën e tyre e vërej edhe kur shkoj për vizitë në Gjakovë si dhe kur shkojnë këto në pushim ndihet shumë mungesa e tyre”, thekson ajo.

Shtëpia ku jeton Fata strehon edhe 44 banorë të tjerë të cilët janë pa përkujdesje familjare. Bahrie Kolla, nga Vushtrria, tash e gjashtë vjet e gjysmë jeton në këtë shtëpi të të moshuarve.

Ajo ka vetëm fjalë të mira për stafin, ndërsa në bisedë për Radio Kosovën tregoi për aktivitetet që i organizojnë, sidomos gjatë verës. Përveç aktiviteteve brenda shtëpisë, ajo thotë se i pëlqen edhe shopingu.“Po me pëlqen vendi, neja, mirë po kalojmë. Po merremi me aktivitet të ndryshme që ta kalojmë kohën. Dal kur kam dëshirë nëpër dyqane, blej diçka, shkoj deri në furrë të bukës prandaj e falënderoj stafin për kujdesin! ”, tha ajo.

Njëra prej veteraneve në këtë shtëpi të të moshuarve është Xhevrie Sulejmani nga Podujeva. Ajo jeton prej afër dhjetë vjetësh në këtë shtëpi. Xhevria thotë se merret me aktivitete të ndryshme në shtëpi, ndërsa është e kënaqur me shërbimet dhe kujdesin që ofron kjo shtëpi.

“Mirë po kalojmë, jam shumë e kënaqur, mirë shumë! Merrem me aktivitete të ndryshme, punojmë punë dore, dalim shëtisim etj. Të punoj në kopsht nuk mundëm sepse kam problem me unazat. Por dal nga pak, edhe me ushqimin jam e kënaqur. Na presin tepër mirë, edhe nëse hiq të mos më pëlqej ushqimi  qysh na presin e na flasin, më bëjnë të ushqehem. Jam shumë e kënaqur!”, theksoi ajo.

Shtëpia e Personave të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë, i ka 45 banorë rezidentë, prej të cilëve 30 femra dhe 15 meshkuj.

Drejtoresha Raza Aliqkaj thotë se kjo qendër ka kapacitet të strehojë deri në 100 persona të moshuar. Aliqkaj apelon tek institucionet që të bëjnë më shumë për Shtëpinë e të Moshuarave më qëllim të ruajtjes së dinjitetit të tyre.

“Bashkëpunimet i kemi të mirëfillta me qendrat e të gjithë. Infrastruktura është shumë  e vjetruar. Por besoj që më ngritjen e infrastrukturës ka me u ngrit edhe cilësia e shërbimeve. Por besoj që në të ardhmen ata të cilët na kanë nën ombrellën e tyre të punojnë edhe me shumë që për këtë kategori të përmirësohen kushtet dhe t’ua ruajmë dinjitetin deri në vdekje kësaj moshe”, tha ajo.

Kurse, drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, thotë së se kjo kategori ka qenë pothuajse e harruar nga institucionet. Ajo theksoi se gjatë mandatit të saj ka bërë disa investime në shtëpinë e të moshuarve, duke përfshirë rinovimin e shtëpisë dhe ndërrimin e mënyrë se ushqimit.

“Nga ajo çfarë kemi parë deri me tani kjo kategori ka qenë e harruar nga institucionet. Ne kemi ndërruar tërësisht menynë  e ushqimit. Tashme ata ushqehen nga Kuzhina Qendrore.  E kemi rinovuar në tersi sallën ku ushqehen të moshuarit tanë. Duke larguar parketin e dëmtuar, gërryerjen e mureve ku ka pasur myk, duke bërë renovimet e domosdoshme dhe të nevojshme. Kemi investuar në dhomat e tyre të gjumit dhe kemi rregulluar edhe disa tualete. Por konsideroj që këto janë disa arnime të vogla”, tha Sahiti.

Kriter për t’u vendosur në qendrën në Prishtinë, sipas një udhëzimi administrative, është që personi të jetë të paktën 65-vjeçar, të mos ketë pasardhës, të jetë në gjendje të mirë psikike dhe të mos ketë sëmundje infektive. Vendosja në qendër lejohet edhe nëse i moshuari ka vajzë që është e martuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat