Tre persona njëherësh, në këtë pjesë të rrugës humbën jetën.
Megjithëse sinjalizime për punime në Urën e Badocit, ka që nga prilli i vitit 2023.
Kjo urë as një kilometrëshe është akoma larg finalizmit, ani pse u premtua që brenda javësh do të jetë e përfunduar.
“Është rruga kryesore që e lidhë Gjilan me Prishtinën, normal që duhet të përfundohet në një kohë shumë të shpejtë. Nuk është mirë dhe nuk është e drejtë, sa i përket qytetarëve, që të jetë ajo pengesë ende pa u përfunduar. Ajo është një urë që është dashur të përfundohet në një afat shumë shumë më të shkurtër se sa ka qenë e përcaktuar, e lëre më që ende nuk është përfunduar. Është dëm për qytetarët, është rrezik për qytetarët, ku kemi pasur edhe të vdekuar në atë pjesë, thotë Lavdim Hamiti, njohës i komunikacionit.
Fatin e njëjtë e ka edhe një rrugë tjetër në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
Autostrada e Gjilanit, nuk u përfundua as në vitin 2024.
“Shtesë e kemi mospërfundimin e autostradës, një projekt tjetër që po stërzgjatet”, ishte shprehur kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.
Rrjedhimisht, edhe i pari i Ministrisë përtoi të flas për të.
“Kur flasim për autostradën e Gjilanit dhe për rrugën Dollc – Gjakovë, janë dy projekte për të cilat hezitoj dhe pritoj me fol, sepse kemi pengesa të vazhdueshme dhe kemi pasur vonesa të vazhdueshme”, ishte shprehur Liburn Aliu, minister i Infrastuktures.
Mes pluhurit të punimeve dhe kolonave në trafik, vazhdon të mbetet edhe rruga ku po punohet për autostradën e Podujevës.
Për gjithë këto vonesa, vlerësohet se ka material për hetim nga ana e prokurorisë.
“Ekzistojnë elemente që e kanë arsyeshmërinë se për çfarë munden me u vonu punimet, por jo në qoftë se kentogrami e parasheh një vit dhe ato me u vonu katër vite e edhe pesë. Asnjë projekt kjo Qeveri nuk e ka filluar, të gjitha janë projekte që jaën filluar nga qeveritë e kaluara. Dhe tash, kur e shohim se një projekt i tillë e ka pasur afatin e përfundimit brenda një viti apo dy dhe ka zgjatur katër vite dhe ende nuk ka përfunduar, atëherë kjo është problem dhe prokuroria duhet të ndërhyjë, dhe të hulumtojë se pse ka ndodhur kjo vonesë”, shprehet Nol Dedaj, profesor universitar.
Kritika për zvarritje dhe mospërfundim të punimeve në autostrada, ka pasur edhe nga opozitarët gjatë seancave të Kuvendit.