Ia prenë 2000 fidanë të qershive, keqbërësit ende s’janë gjetur

Kosova

Ia prenë 2000 fidanë të qershive, keqbërësit ende s’janë gjetur

Më: 6 janar 2025 Në ora: 07:11
Foto ilustrim

Një familjeje në fshatin Gërdoc të Podujevës dikush ua ka dëmtuar, me sëpatë, 2000 fidanë të qershive. Policia është e njoftuar me këtë rast, por ende nuk janë gjetur autorët. Për familjen, e cila merret me këtë biznes, ky dëm është vështirë i riparueshëm.

“Kom marrë produkt prej kësaj qershie, por nga keqbërësit ka ndodh kjo që ka ndodhë”, tha Albion Hoxha, pronar i pemishtes.

Fillimisht ia kishin dëmtuar rrethojën e më pas me sëpata ia kishin prerë 2000 trupa të qershive nga 2800 sosh sa i kishte pasur të mbjella familja Hoxha në pemishten që e kishin ngritur me investime familjare e subvencione.

Ka ndodhë një akt i tmerrshëm i cili i cili nuk i ndodh askujt se ka ndodhë ka hy dikush e ka dëmtua fillimisht rrethojën edhe tani i ka dëmtua edhe qershitë, mbi 200 copa qershi janë të prera me sakicë”, tha ai.

Ai tregon se për akt nga persona të panjohur e ka njoftuar edhe policinë.

“Autorët e kryerjes së kësaj vepre nuk mund të më ndalin mu me zhvillu kom me ngrit edhe më shumë edhe ky është biznes familjar që e kemi ngritë me familje që e kemi punua bashkërisht krejt që kemi punua edhe dëmi është shumë marramendës, i madh”, thotë pronari i pemishtes.

Dy vitet e fundit pemishtja kishte filluar të jepte prodhim. Pronari i saj konsideron se kjo i është bërë nga persona që dëshirojnë ta largojnë dhe ta dekurajojnë të merret me këtë biznes. Por, Hoxha thotë se me përkushtimin e njëjtë do ta ngrejë pemishten e re, teksa pret nga organet e rendit që keqbërësit t'i vërë para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat