Mbi 100 mjekë sipas të dhënave zyrtare të Odës së Mjekëve kanë braktisur Kosovën brenda vitit 2024. Sipas Odës ky numër është shqetësues dhe do të ndikojë në shëndetësinë e Kosovës. Por, Qeveria ka folur për një trend tjetër, siç thotë, të rritjes së numrit të mjekëve që kthehen në Kosovë
Edhe pse me entuziazmin më të madh veshën mantelin e bardhë, rrethanat sollën një situatë pak më ndryshe, atë të braktisjes së vendit dhe profesionit më të shenjtë: të mjekut.
Demotivimi i mantelbardhëve po bënë që ata të largohen jashtë vendit, por edhe në spitale private, ka thënë nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovë, Naser Gjonbalaj. Sipas të dhënave të Odës brenda vitit 2024 rreth 110 mjekë kanë lënë Kosovën.
“Nuk kanë ndryshuat sfidat me vitet e kaluara. Gjendja ka qenë e njejta. Është sistemi shëndetësor sfida ma e madhe. Nuk kemi një sistem të unifikuar shëndetësor…ikjet më të mëdhaja kanë qenë si pasojë demotivimit. Edhe këtë vit nuk është që kemi pasur një rënie në këtë aspekt. 110 mjekë kanë dalë jashtë Kosovës. Të paktën këto janë shifrat zyrtare. Përndryshe ka edhe të tjerë”, tha Gjonbalaj për rtv21.
Por ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës në fundvit ka folur për një trend tjetër atë të kthimit të mjekëve në Kosovë. Sipas tij numri i të kthyerve është më i madh sesa i atyre që po dalin jashtë.
“Sa i përket ikjes së mjekëve, hera e parë është viti 2024 nga trendi që ka filluar shumë vite më herët, që më shumë mjekë shqiptarë po kthehen në Republikën e Kosovës, sesa që po dalin Deri në shtator janë rreth 82-83 mjekë që kanë dalë jashtë Kosovës, dhe janë mbi 156 shqiptarë që janë kthyer”, tha Vita.
Ish ministri i shëndetësisë Armend Zemaj, ndërkohë thotë se viti 2024 ka qenë vit i keq për shëndetësinë në Kosovë, ku më i dëmtuar mbeti pacienti. Zemaj thotë se ambienti i krijuar në këtë sektor ka çuar vendin tek kjo shifër e lartë e ikjes së mjekëve.
“Është paaftësia e qeverisë, keqmenaxhimi, mungesa e vazhdueshme e furnizimit me barna. Mbi të gjitha një ambient që ka sjellë ikjen e mjekëve dhe infermierëve. Ndërsa skandalet kanë qenë të një pas njëshme. Është dëmtuar shumë pacienti…ka pasur renovime por edhe renovimet janë karakterizuar me afera korruptive. Me një fjalë është vit i keq në shëndetësi me shumë të meta”, tha Zemaj për rtv21.
Përgjatë gjithë vitit, Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka organizuar një numër protestash edhe përpara Kuvendit të Kosovës duke kërkuar rikthimin e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë, mospajtimin me propozimin e qeverisë për një rritje të vogël të koeficientit prej 0.5, mosnënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale, si dhe injorimet që Qeveria i ka bërë protestave.