Opozita në Shtime akuzon qeverisjen e Aliut për keqmenaxhim të parasë publike

Kosova

Opozita në Shtime akuzon qeverisjen e Aliut për keqmenaxhim të parasë publike

Më: 7 janar 2025 Në ora: 15:23
Foto ilustrim

Subjekti opozitar PDK, dega në Shtime ka kritikuar qeverisjen e Qemajl Aliut se ka bërë investime deri në 23 mijë euro për blerjen e një pompe termike për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, por që kapaciteti i saj nuk i përmbush nevojat për ngrohjen e gjithë objektit. Këtë çështje opozita e ka cilësuar si keqmenaxhim dhe keqplanifikim duke u bazuar në konsultime dhe ekspertë të kësaj fushe.

Sipas këtij subjekti opozitar, kontrata e prokurimit, e nënshkruar më 24 korrik 2024, parashikon një kosto prej mbi 23,000 eurosh për këtë projekt, megjithatë analizat teknike sipas PDK-së, tregojnë se Ky planifikim është i dobët jo vetëm që ka potencial për të dështuar në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, por gjithashtu përbën një dëm të madh financiar për buxhetin e komunës.

Rrahman Jakupi, kryetar i degës së PDK-së në Shtime, ka thënë se blerja dhe instalimi i një pompe termike për ngrohjen e hapësirave në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime lë për të dëshiruar mbi mënyrën e menaxhimit dhe planifikimit të qeverisjes aktuale nën drejtimin e kryetarit Qemajl Aliu dhe ekipit të tij.

Në dokumentacionin e kontratës vërehet mungesa e analizave teknike paraprake për përshtatshmërinë e pajisjes me nevojat reale të QKMF-së. Një planifikim më i mirë dhe konsultimi me ekspertë të fushës mund të kishte shmangur këtë situatë, duke garantuar pajisje që përmbushin standardet dhe duke kursyer para publike. Në vend që të fokusohet në projekte që adresojnë problemet reale të qytetarëve, qeverisja aktuale nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje duket se po përfshihet në vendime të pamenduara mirë, duke dëmtuar interesin e qytetarëve”, ka kritikuar Jakupi.

Sipas tij, kjo është një tjetër dëshmi e mungesës së transparencës dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e projekteve publike nga kjo qeverisje lokale.

Qytetarët e Shtimes përballen me sfida të mëdha në sektorë jetikë, keqmenaxhimi i fondeve publike vetëm sa e përkeqëson situatën. Qytetarët e Shtimes meritojnë projekte të mirëplanifikuara dhe investime të përgjegjshme që reflektojnë nevojat e tyre reale, jo hapa të pamenduara që rëndojnë buxhetin publik. Komuna duhet të japë llogari për këtë dështim dhe të marrë masat e nevojshme për të adresuar këtë situatë”, ka kritikuar më tej Jakupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat