Kultivuesit e Lakrave sivjet janë ndarë të kënaqur me këtë kulturë bujqësore, kjo për faktin se këtë vit ato kanë pasur një çmim pothuajse trefish më të lartë krahasuar me vitet paraprake. . Këtë vit si asnjë vit tjetër çmimi i tyre me shumicë nga 15 e 20 cent për kilogram ka arritur në 60 cent për kilogram.
Ata të cilët kanë pasur sipërfaqe të mbjella me lakra sivjet janë ndarë të kënaqur. Verën që shkoi përkundër temperaturave të larta që mbretëruan në vendin tonë, rendimenti i mirë i lakrës vjeshtore nuk ka munguar.
Burim Pllana nga fshati Shtitaric , Komuna e Vushtrrisë i cili këtë vit ka pasur të mbjellë 8 hektarë. Pllana për emisionin “Toka” në RTK thotë se rendimenti mesatar për hektarë me lakër është mbi 60 tonë.
“Në këto sipërfaqe kultivon kemi të mbjella 3 lloje të lakrave, një kulturë shërben për turshi dhe dy të tjera për sallatë. Përveç destinimeve të ndryshme, këto 3 lloje dallojnë edhe sa i përket rendimentit”, thotë Pllana, duke shtuar se krahas rendimentit të lartë, lajm shumë i mirë këtë vit është edhe çmimi i sajë.
Ai thotë se këtë vit si asnjë vit tjetër, çmimi i shumicës me lakra ka arritur në 60 cent për kilogram.
Në Kosovë me këtë kulturë, aktualisht, janë të mbjella 1 mijë hektarë tokë dhe se me këtë sipërfaqe të mbjella Kosova mbulohet tërsisht me kërkesat e kësaj kulture bujqësore.
Pllana thotë se këtë vit sa i përket tregtimit të lakrës është që ky produkt krahas disa perimeve tjera ka filluar të eksportohet jashtë vendit.
“Nga rreth 30 hektarë tokë që i punojmë këtë vit e kemi të mbjella 9 hektarë me patate, 4 me qepë, 5 lulelakër dhe rreth 2 hektarë me brokull. E sivjet edhe lulelakra dhe brokulli kanë pasur çmim të mirë”, shprehet Pllana.
Ai thotë se rol të rëndësishëm në arritjen e rendimentit të lartë të lakrës, ka luajtur edhe ujitja të cilën e kanë kryer falë sistemit të “Ibër Lepencit”.
Sipas tij, subvencionet për një hektarë lakër janë 540 euro dhe se është ndarë i kënaqur me to.
“Kostoja për kultivim të një hektari me lakër sillet nga 2500 deri në 3 mijë euro. Ndërsa, sa i përket granteve, nuk kam aplikuar për to”, thotë Pllana.
Ismet Babaj, ligjërues në Fakultetin e Bujqësisë në UBT tregon se cilat janë përparësitë e laramanisë së kultivimit të llojeve të lakrave.
Ai për emisionin “Toka” në RTK thotë se llojet e ndryshme të lakrave nuk kanë dallime të theksuara në të ushqyerit, porse sipas tij, esenca e laramanisë së kultivimit të ndërlidhet më tepër me ndjekjen e trendeve nga fermerët për të pasur suksese më të mëdha, në rendiment dhe qëndrueshmëri ndaj sëmundjeve dhe klimës.
Sipas tij, sa i përket llojit të lakrave vjeshtore, për momentin trendi i kultivimit është me llojet që kanë rendiment më të lartë.
“Krahas vegjetacionit më të gjatë, llojet e lakrave me rendiment të lartë kërkojnë edhe qasje më profesionale, pasi si bimët janë më të ndjeshme sesa ato me rendiment të ulët. Rol bazik për rendiment të lartë dhe cilësi të mirë, luan edhe fidani cilësor dhe se fermerët duhet ta përmirësojnë teknikën e të ushqyerit dhe ujitjes”, thotë Babaj.
Tutje, sipas tij, kohëzgjatja e vegjetacionit nga mbjellja deri te vjelja e lakrës, zgjatë nga 55 deri 120 ditë, varësisht kultivarit që e mbjellim.
“Edhe lakrat si të gjitha bimët tjera rrezikohen nga dëmtues dhe sëmundje, porse sëmundja më e rrezikshme te kjo kulturë, është ajo e njohur me emrin, hernia”, thotë ai.
Babaj shton se sa i përket vlerave ushqyese, lakra bën pjesë ndër bimët e ranguara lartë, madje sipas ti, kjo kulturë vlerësohet si parandaluese edhe e sëmundjes së kancerit.
“Kur e them këtë bazohem në faktin se bazuar në analizat e 5 akademive ushtarake, lakra duhet të jetë çdo herë në tryezën e ushtarit”, thotë Babaj.