Në mungesë të stafit të trajnuar për ofrimin e disa shërbimeve shëndetësore specifike, Klinika e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë vitit të kaluar ka referuar tre pacientë për shërim jashtë vendit.
Për referimet e pacientëve jashtë Kosovës, drejtori i kësaj klinike, Enver Fekaj thekson se nuk kanë të bëjnë ekskluzivisht për trajtimin kirurgjik, por për procedura shtesë, që siç thotë ai nuk realizohen nga kirurgët abdominal.
"Prej Kirurgjisë Abdominale numri i referimeve ka qenë jashtëzakonisht i vogël këtë vit. Janë referuar tri raste, për dallim nga viti i kaluar që janë referuar shtatë raste. Janë referuar këto tri raste për shkak se përveç intervenimit kirurgjik, kanë pasur nevojë edhe për procedura të tjera të cilat aktualisht nuk janë implementuar ose nuk janë funksionale në klinikën tonë. Jo ekskluzivisht për trajtimin kirurgjik. Njëri prej tyre ishte inkontinencë anale, pa mundësi për kontrollim defekimit. Procedurë kirurgjike që realizohet edhe tek ne. Mirëpo, një procedurë shtesë në rastin konkret është neurostimulimi i nervave sakral që realisht neurostimulimi nuk bëhet në klinikën tonë aktualisht...Nuk është procedurë që realizohet prej kirurgëve abdominal. Është procedurë që realizohet nga staf shtesë i trajnuar për këto neurostimulime. Meqenëse nuk ishte funksional është dashur që të rekomandojmë për trajtim jashtë vendit", thotë Fekaj.
Fekaj thotë për KosovaPress se gjatë vitit të kaluar janë kryer rreth 2 mijë e 300 intervenime kirurgjike.
Ai flet edhe për realizimin e operacioneve që nuk kryhen në spitalet private në Kosovë e që jashtë vendit kanë kosto mijëra euro.
" Mund t’i përmend dy intervenime që konsiderohen si intervenime kulmore në kuadër të kirurgjisë abdominale, e ato janë operacioni sipas Whipple-it (Uipllit), është emër i një autori. Realizohen përmes një intervenimi që është modifikim i Whipple-it (Uipllit), quhet si intervenimi Traverso-Longmire dhe këto intervenime realizohen kur kemi të bëjmë me karcinomat e kokës së pankreasit. Janë intervenime shumë të vështira dhe shumë komplekse. Në klinikën tonë, gjatë këtij viti (2024) intervenime të tilla janë realizuar gjithsej dhjetë, që është një numër më i lartë se viteve paraprake. Një intervenim tjetër kirurgjik i cili është shumë kompleks dhe i vështirë, që mund të shoqërohet edhe me komplikime intraoperatore të hershme, pasoperatore është edhe ezofagektomia trans'hiatale. Është një intervenim që realizohet tek kanceret e ezofagut. Intervenime të tilla janë realizuar dy...Edhe operacioni sipas Whipple edhe operacioni tjetër ezofagektomia trans'hiatale kanë çmime të ndryshme, nëse përkthejmë në vlerë monetare. Por, realisht mesatarja e çmimeve secili prej tyre kushton mesatarisht rreth 50 mijë euro. Në Kosovë nuk realizohet në spital private", ", tregon Fekaj.
Për KosovaPress, Fekaj tregon edhe për numrin e vizitave të kryera gjatë vitit të kaluar në ambulanten specialistike dhe në qendrën emergjente të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale.
"Përafërsisht gjatë këtij viti [2024] janë realizuar gjithsej 2 mijë e 300 intervenime kirurgjike. Janë realizuar edhe intervenime minimale invazive ose endoskopike. Afërsisht rreth 380 ERCP. Po ashtu, janë realizuar afërsisht rreth 200 gastroskopi. Janë realizuar afërsisht 100 kolonoskopi. Janë bërë afërsisht mbi 5 mijë vizita në ambulanten specialistike dhe diku mbi 10 mijë vizitën në qendrën emergjente nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale”, tregon Fekaj.
Ndër të tjera, drejtori i Kirurgjisë Abdominale thekson se me zgjerimin e spektrit te operacioneve, rritet nevoja për shtim të infermierëve.
"Intensa jonë është ta zgjerojmë edhe spektrin e operacioneve. Mendojmë që në repartin e laparoskopisë të aktivizohet edhe një sallë operatore. Kështu që padyshim që me zgjerimin e aktivitetit profesional kemi nevojë edhe për shtim të stafit të mesëm", thekson Fekaj.