Pezullohet aktiviteti i linjave Podujevë-Prishtinë

Kosova

Pezullohet aktiviteti i linjave Podujevë-Prishtinë

Më: 16 janar 2025 Në ora: 09:27
Pezullohet aktiviteti i linjave Podujevë-Prishtinë

Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” ka pezulluar përkohësisht aktivitetin e saj për shkak, siç thotë, “shkeljeve flagrante të të drejtave elementare dhe rrezikut të falimentimit”. 

Në një deklaratë zyrtare, shoqata ka theksuar se situata është pasojë e veprimeve të fundit të Komunës së Prishtinës, e cila ka lëshuar linja të reja transporti, duke shkelur procedurat ligjore.

Sipas shoqatës, këto veprime kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, duke rrezikuar vendet e punës për shumë persona që varen nga ky sektor.

“Për këtë arsye, kërkojmë me urgjencë ndërhyrjen e institucioneve kompetente për të adresuar këtë shkelje ligjore dhe për të marrë masa të menjëhershme që të mundësojnë vazhdimin e shërbimeve të transportit në kushte të drejta dhe të ligjshme për të gjithë operatorët,” thuhet në deklaratë.

Shoqata kërkon gjithashtu që Komuna e Prishtinës të rishqyrtojë vendimet e saj dhe të sigurojë një treg të ndershëm e të barabartë për të gjithë operatorët, duke respektuar konkurrencën dhe kuadrin ligjor.

Kjo situatë, sipas shoqatës, vjen si një tjetër sfidë në sektorin e transportit publik, ndërsa përdoruesit e linjës Podujevë-Prishtinë pritet të përballen me vështirësi derisa çështja të zgjidhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat