Media raportoi sot për një rast të dhunës që dyshohet se ka ndodh dje në shkollën fillore “Abetarja”, në Softaj të Ferizajt.
Aty dyshohet se drejtori i shkollës e ka dhunuar fizikisht një nxënës rreth 10-vjeçar.
Për rastin ka folur Ismet Bala, drejtori i kësaj shkolle. Ai e ka mohuar rastin kur ka folur për Gazetën Sinjali, duke thënë se “vetëm i kam bërtitur që të largohet nga banjo, është nxënës problematik, zakonisht rri në banjo – nuk e kam goditur”.
“Nxënësi më pas ka shkuar në shtëpi dhe ka thënë se me ka rrah drejtori, pastaj babai i tij më ka lajmëruar në Polici”.
Bala pretendon se familja e nxënësit këtë rast e ka lajmëruar në Polici, pasi një vit më parë një fëmijë më i madh i kësaj familje nga Softaj kishte shkuar me armë në shkollë.
“Kjo familje ka qejf të gënjejë – te unë po këqyrin pak me u hakmarrë pasi para një viti një djalë më i madh i kësaj familje ka ardhur me allti në shkollë – unë e pata lajmëruar rastin në polici dhe policia ia patën konfiskuar armën”.
“Tash po këqyrin me u hakmarrë se më ka thirr para një muaji babi i tyre dhe me tha më ke sjell probleme me Polici. I pata thanë, o i nderuar me pas mbyt një fëmijë djali yt me atë armë qysh kishe vepruar ti”, shpjegon tutje Bala.
“Unë e kam mbrojt në atë rast, nëse i kish ndodh një fëmije diçka atëherë ku kish mbet ai”.
Për rastin që Bala dyshohet është intervistuar dje nga hetuesit policorë.
“Po jam intervistuar dje nga Policia – hetimet janë duke vazhduar – i kanë marrë deklaratat e punëtorit teknik që ka qenë aty kur ka ndodh rasti dhe deklaratën e mësueses”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar dhe hetimet do të vazhdojnë.