Shërbimi me SPECT&PET-CT dhe ai SPECT-CT janë dy lloj aparaturash të cilat po konsiderohen transformimi kryesor që e ka rritur cilësinë e shërbimeve në Klinikën e Mjekësisë Nukleare, por edhe ka ulur koston e trajtimit të pacientëve kryesisht me sëmundje malinje.
Shërbimet e reja në këtë klinikë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po ofrohen me aparatura të cilat nuk i kanë sistemet shëndetësore në rajon.
Kështu thotë drejtori i Klinikës së Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu i cili në një intervistë për KosovaPress vlerëson se viti 2024 ishte më i miri për shërbimin nuklear që nga themelimi i tij.
Ai thotë se donacioni nga Arabia Saudite, i mundësuar nga Fondacioni “Jahjaga” për SPECT&PET-CT, por edhe blerja e SPECT-CT ka krijuar mundësi për diagnostikim më të shpejtë të sëmundjeve kancerogjene.
Spahiu tregoi se nga qershori i viti të kaluar, kur edhe nisi ofrimi i këtij shërbimi për pacientët kosovarë, e deri në fund të dhjetorit kanë kryer 210 shërbime SPECT&PET-CT.
Spahiu: Kemi kryer 210 shërbime SPECT&PET-CT
“Për herë të parë është vendosur në shërbimin publik të themi kështu si një pajise për herë të parë, është kërkuar që një kohë, por erdhi momenti që ta kemi tani në repartin tonë. Më 26 prill e kemi bërë promovimin, ndërsa më 25 qershor kemi filluar me pacientët e parë, deri më sot i kemi bërë 210 pacientë brenda korrik, gusht, shtator, tetor, nëntor, dhjetor kemi bërë PET-CT. Trajnimet janë kryer me kohë, të gjitha procedurat janë kryer me kohë, furnizimi është me rregull...në fillim kemi pasur probleme pak në furnizim, jemi furnizuar vetëm njëherë në javë tre muajt e parë. Ndërsa, prej 1 tetorit në këtë periudhën e 3 mujorit të fundit, jemi furnizuar dy herë në javë, FDG pasi është material radioaktiv dhe vjen nga importi, në këtë rast vjen nga Turqia dhe ai material radioaktiv aplikohet në pacientë për të bërë një diagonstikim me PET-CT ”, thotë ai.
Drejtori i Shërbimit Klinik i Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu thotë se futja në përdorim e dy pajisjeve të reja i ka ulur shpenzimet e familjeve në masë të madhe.
Ai thekson se vitin e kaluar kjo klinik edhe është rinovuar.
Spahiu: Kemi ulur shpenzimet e familjeve me këto dy aparatura
“Kostoja e një incizimi me PET-CT ka 1300 deri në 800 euro, mesatarja ka ardhur 1000 euro. Në këtë rast nëse ne i kemi realizuar 210 PET-CT ne e kemi kursyer buxhetin e atyre familjeve për 210 mijë euro në total. Kjo është një e arritur e madhe dhe mund të them lirisht që e kemi lehtësuar sadopak jetën dhe diagnostikimin sa më të shpejtë të atyre pacientëve të cilët kanë nevojë për një PET-CT...Pacientët janë të gjithë me kancer, janë të gjithë me diagnoza malinje të cilët vijnë, më së shumti kemi nga limfomat të cilat vijnë nga klinika e Hematologjisë, pastaj nga klinika e Onkologjisë vijnë malinje, kancere të tjera të gjirit, zorrëve, zorrës së trashë, mushkërive varësisht se në çfarë stadi është dhe kërkohet një PET-CT për tu realizuar. Kur metodat tjera diagnostike në këtë rast një rezonancë, një CT, një ultrazë nuk e përcaktojnë një diagnostikim të mirëfilltë atëherë lirisht kërkohet një CT ”, theksoi ai.
Teksa flet për aparatura, Spahiu thotë se tashmë Shërbimi Klinik i Mjekësisë Nukleare në QKUK ofron shërbimet më të reja dhe të vetme të këtij lloji në rajon.
Spahiu: Në Mjekësinë Nukelare i kemi dy pajisjet që nuk janë në rajon
“Kemi marr një SPECT-CT e cila është trio me tre detektorë, është teknologjia e fundit, nuk ka në rajon, por njëkohësisht në rajon nuk ka as SPECT-CT PET nuk ka në rajon modele të tilla janë prodhim 2024 modeli SPECT-CT në rajon nuk ka të instaluara ende dhe është e avancuar shumë. Impakti i saj është se ne e kemi pas një aparaturë shumë të vjetër që nga 2008-2009 një gama kamerë të vjetër”, u shpreh doktor, Spahiu.
Krahas incizimeve me PET-CET, SPECT-CET, në Mjekësinë Nukleare nga viti 2020 ofrohet edhe denzitometria e kockave (DEXA).
E gjatë vitit 2024 janë kryer rreth 5 mijë shërbime të tilla, të cilat janë të nevojshme për pacientët që kanë probleme me Osteoporozë (humbje të masës kockore).
Spahiu: Në DEXA kemi kryer rreth 5 mijë shërbime
“Në denzitometri i kemi diku rreth 5 mijë shërbime të cilat i kemi ofruar, në nivel të Kosovës është i vetmi shërbim i cili ofron shërbime të mjekësisë nukleare, nuk kemi pjesë tjera të Kosovës, është vetëm në QKUK e organizuar si mjekësi nukleare. Ne ofrojmë shërbim për të gjithë Kosovën, deri më sot ia kemi dalur mirë, listë të pritjes nuk kemi në scintigrafi, në PET kemi 1 muaj apo 1 muaj e gjysmë, nuk është një listë e gjatë shumë, jemi duke punuar dhe angazhuar maksimalisht. Viti 2024 ka qenë viti më i mirë që prej që është në Mjekësinë Nukleare sepse kemi dy pajisje të teknologjisë, së fundi hitech prodhimi i 2024, trajnimet janë bërë të gjitha edhe për PET-CT edhe për SPECT-CT. Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë të gjitha shërbime e mjekësisë nukleare”, thotë Spahiu.
Spahiu thekson se ofrimi i shërbimeve të reja e ka rritur nevojën edhe për specializantë, për çka thotë se kanë pranuar mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë.
Spahiu: Jemi 5 specialistë, nga 1 tetori kanë ardhur edhe 2 specializantë
“Ne jemi 5 specialistë, një specialist është duke dalur, tash së shpejti do të vijë këtu në Mjekësinë Nukleare. Dy specializantë, me kërkesën që e kemi bërë në MSH, e kanë parë edhe ata që ne jemi avancuar në vitin 2024, jemi avancuar shumë, dhe me avancimin tonë edhe mbështetja nuk ka munguar dhe nga MSH-ja, na kanë ardhur dy specializantë të rinj prej 1 tetorit”, theksoi ai.
Shërbimi Klinik i Mjekësisë Nukleare ofron edhe scintigrafinë për gjëndrën tiroide, pështymore, të zemrës dhe të tjera.