Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se po vazhdojnë me pastrimin e trotuarëve dhe hyrjeve në zonën e vilave në Brezovicë.
Durmishi ka publikuar disa pamje nga puna që po bëhet derisa ka thënë se po bëjnë gjthçka që është e mundur që ta lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve në këtë zonë.
“Gjatë gjithë natës është punuar për pastrimin e trotuarëve dhe hyrjeve në zonën e vilave në Brezovicë. Edhe sot gjatë ditës do të vazhdohet me pastrimin e borës në trotuare. Edhe pse nuk e kemi obligim që ti pastrojmë hyrjet, ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që ta lehtësojmë lëvizjen e qytetarëve në këtë zonë. Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, shton tutje ai.
Për situatën e krijuar në zonat turistike ka shkruar edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të jenë e kujdesshëm gjatë lëvizjes në këto zona.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës i bën thirrje të gjithë qytetarëve tanë që planifikojnë të udhëtojnë nga Shqipëria drejt Kosovës, sidomos në zonat turistike dimërore si Brezovicë, Brod, Bogë, Rugovë, etj., të informohen mbi kushtet klimatike aktuale, si dhe të sigurohen që të jenë të pajisur me goma dimërore, zinxhirë dhe mjete të tjera për qarkullim të sigurtë, sipas Kodit Rrugor në Republikën e Kosovës. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë këto masa, për të shmangur rrezikun e aksidenteve dhe masave eventuale administrative, si dhe për të kontribuar në sigurinë e përgjithshme rrugore”, ka pohuar ai.
Ndryshe, reshje bore ka pasur gjatë këtyre ditëve në vendin tonë, e më së shumti në zonat malore.