Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar konsumatorët për një ndërprerje të përkohshme në furnizimin me ujë të pijes si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.
Incidenti ndodhi sot, nga ora 15:14 deri në orën 17:45, duke shkaktuar ndërprerje të procesit të trajtimit të ujit në Impiantin e Ujit në Shipol.
Sipas njoftimit, aktualisht Impianti në Shipol është duke funksionuar normalisht, dhe furnizimi me ujë pritet të stabilizohet në zonat e Mitrovicës Jugore, Skenderajt, Mitrovicës Veriore dhe Zveçanit.
Kompania ka paralajmëruar qytetarët se, për shkak të boshatisjes së gypave gjatë ndërprerjes, uji i rikthyer mund të shfaqet fillimisht i turbullt. Në këtë rast, qytetarëve u rekomandohet të lënë ujin të rrjedhë për disa çaste derisa të kthjellet.