Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve gjatë vitit të kaluar janë kryer mbi 1 mijë e 300 ndërhyrje operative. Ndërsa, pajisja me aparaturën e gastroskopisë dhe kolonoskopisë ka krijuar mundësi për avancimin e shërbimeve.
Të kënaqur me shërbimet mjekësore në këtë klinikë shprehen edhe familjarët e fëmijëve.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Sejdi Statovci për KP, ka treguar se përkundër numrit të kufizuar të anesteziologëve, përpjekjet nuk kanë munguar që të kryen sa më shumë operime te fëmijët.
Ai shton se lista e pritjes në këtë klinikë nuk është më e gjatë se tre muaj.
Statovci: Në vitin 2024 i kemi kryer mbi 1 mijë e 300 operime
“Në vitin e kaluar kemi operuar gjithsej 1 mijë e 340 pacientë që është një numër solid në kushtet në të cilat ne operojmë. Është fakt i ditur që QKU-ja dhe ShSKUK, kanë numër të kufizuar të anesteziologëve dhe kjo na i kufizon mundësitë që ta rrisim këtë numër. Por, përpjekjet tona janë që në kuadër të mundësive që i kemi, ta ngrisim këtë numër vazhdimisht....janë realizuar diku 6 mijë e 400 vizita emergjente dhe rreth 3 mijë e 500 vizita në ambulancën specialistike”, u shpreh Statovci.
Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve po synon që brenda këtij viti të kryejnë largimin e trupave të huaj fal aparaturës së gastroskopisë dhe kolonoskopisë.
Statovci theksoi se është shtuar numri i pacientëve ku është përdorur pajisja laserike për thyerjen e gurëve në rrugët urinare te fëmijët.
Statovci: Po avancojmë shërbime, kemi trajnuar kirurgë
“Në kuadër të Klinikës tonë jemi munduar të avancojmë dhe të sjellim shërbime që nuk i kemi pas më përpara. Në këtë vit kemi bërë trajnimin e dy kirurgëve të fëmijëve për përdorimin e pajisjeve endoskopike të traktit digjestiv kolonoskopi dhe gastroskopi dhe insistojmë, qëllimi jonë në një kohë sa më të shkurt është që ata të aftësohen plotësisht në mënyrë të pavarur të bëjmë largimin e trupave të huaj nga trakti digjestiv që kemi raste të shpeshta.. vitin e kaluar kemi përdorur në një numër më të shtuar të rasteve pajisjen laserike për thyerjen e gurëve në rrugët urinare te fëmijët, kemi pas disa raste me sukses i kemi trajtuar me këtë metodë bashkëkohore të trajtimit... Në kabinetin e urodinamikës po ashtu është vazhduar me dhënien e ndihmës për pacientët që kanë çrregullime neurologjike dhe të traktit urinar, fshikëzës urinare ”, thotë Statovci.
Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve e vendosur viteve të fundit në spitalin “Sheikha Fatima”, ka një infrastrukturë moderne dhe të kompletuar për të ofruar shërbime të avancuara për pacientët pediatrik me sëmundje kirurgjike.
Statovci: Kushtet në klinik janë shumë të mira
“Kushtet janë në mënyrë dramatike më të mira, ka ndryshim dramatik në raport me atje ku kemi qenë dhe këtu ku jemi dhe natyrisht kushtet më të mira sjellin mundësi më të mëdha për të punuar, operuar dhe për qëllime diagnostike. Jemi të bekuar me këtë objekt dhe me këto hapësira që i kemi dhe ndoshta në rajon nuk ka, ne po mundohemi me i shfrytëzua maksimalisht...Për pacientin është shumë më e lehtë sepse në të njëjtin objekt jemi ne, është edhe Klinika e Pediatrisë“, deklaroi ushtruesi i drejtorit të Kirurgjisë së Fëmijëve.
Tash e tri ditë bashkë me djalin e tij, Jonin në Kirurgjinë e Fëmijëve ishte edhe prindi, Agron Thaçi.
Ai ndau përshtypjet e tij për shërbimin që ka marrë djali i tij, për çka tha se qysh nga diagnostikimi i sëmundjes e deri te faza e shërbimit, gjithçka ka qenë e jashtëzakonisht mirë.
Thaçi: Trajtimi ka qenë jashtëzakonisht i mirë qysh nga ardhja në klinikë
“Përshtypjet janë jashtëzakonisht të mira, prej fillimit të ardhjes në klinikë, pritjes së stafit ndihmës, infermierëve, motrave, doktorëve, diagnostikimit, trajtimit shumë të shpejt, operacionit, kujdesi pas operacionit.. ka pas apendicit, dhimbje në, fund të barkut kemi ardhur në klinikë, realisht për dy orë u diagnostikua”, tha ai.