Shkrumb e hi ishte bërë pothuajse e gjithë fabrika e plastikës në Rahovec.
Mëngjesin e së martës, gjithçka u kaplua nga zjarri.
Edhe pas disa orësh intervenim nga ana e zjarrfikësve, flakët ishte ende aty.
E me të pranuar informatën, ekipet emergjente të zjarrfikësve dolën menjëherë në teren.
“Kur kanë shkuar zjarrfikësit nuk ka pas zjarre vetëm në një pjesë por ka pas zjarr bukfalisht shumë. Më kanë thirre mua kur e kanë pa se çfarë zjarri, unë i kam angazhua edhe zjarrfikësit e tjerë. Katër kamionët që i kemi i kam nxjerr nga garazha. Kam kërkua ndihmë nga Malisheva, nga Gjakova, nga Prizreni domethënë jemi kanë të gjithë aktiv”, ka deklaruar komandanti i njësisë profesionale të zjarrfikësve në Rahovec, Sami Boshnjaku.
Ndërsa i lënduar nga ky zjarr mbeti një person, por është në gjendje stabile.
Rastin për televizionin e konfirmoi Sheremet Elezaj, zëdhënës i PK-së për rajonin e Gjakovës.
“Rreth orës 05:50 të mëngjesit, një zjarr ka përfshirë një fabrikë për produkte plastike në fshatin Bellacerkë-Rahovec”, ka deklaruar policia.
E për të parë nga afër të gjithë ngjarjen, doli edhe drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Besmire Bytyqi.
“Kjo është një fabrikë e plastikës dhe sipas zjarrfikësve është shumë e zorshme të shuajnë zjarrin në tersi. Zjarri është lokalizuar tani nuk ka ku të shkojë, po e bëjnë punën e tyre për të lokalizuar sa më shumë që është e mundur. Dëmi siç po shihet është një dëme shumë i madh sipas personave zyrtarë që punojnë këtu, mirëpo ende nuk dihet edhe shkaku se nga ka ardhur zjarri”.
Ndërkaq të dielën ishte përfshirë nga zjarri edhe një qendër tregtare në Suharekë.