Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i ka ofruar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës një kredi sovrane deri në 25 milionë euro në dobi të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit”Prishtina” për përmirësimin e trajtimit të ujërave të zeza, nëpërmjet ndërtimit të dy impianteve për trajtim të ujërave të zeza dhe zgjerimit të rrjetit.
Kjo hua do të financojë ndërtimin e impiantit të parë për trajtim të ujërave të zeza në Podujevë, një qytet i madh në veriperëndim të Kosovës, i cili ndodhet 27 km nga Prishtina. Impianti i ri me teknologjinë më të avancuar, do t’i shërbejë një popullate deri në 50,000 banorë dhe do të zvogëlojë dëmet mjedisore të shkaktuara nga ujërat e zeza të patrajtuara që lëshohen në lumin e Llapit, i cili po ndot burimet ujore sipërfaqësore dhe lumenjtë e afërt.
Gjithashtu, projekti do të zgjerojë dhe përmirësojë rrjetin lokal të kanalizimeve të ujërave të zeza, si dhe do të ndërtojë një impiant në shkallë të vogël për trajtim të ujërave të zeza, duke përdorur zgjidhje të bazuara në natyrë.
Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, Sergiy Maslichenko, u shpreh se: “Jemi krenarë që vazhdojmë të mbështesim projektet kyç të infrastrukturës në Kosovë. Kjo iniciativë shënon një tjetër hap përpara në rritjen e kapaciteteve të vendit për trajtimin e ujërave të zeza, duke adresuar një nevojë kritike për përmirësimin e higjienës dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Së bashku, jemi të përkushtuar për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme që nxisin përparimin afatgjatë dhe një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka theksuar se qeveria e Kosovës veç i ka realizuar një sërë projektesh që kishin për qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe sigurimin e mirëqenies së qytetarëve të vendit, duke përfshirë projektet për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, u shpreh se: “Ndërtimi i këtij impianti jo vetëm që do të sigurojë që trajtimi i ujërave të zeza të jetë në përputhje me standardet evropiane, por gjithashtu do të luajë një rol kyç në uljen e ndotjes së lumenjve dhe ruajtjen e burimeve ujore”.
Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” është kompani shtetërore për menaxhimin e ujërave dhe ujërave të zeza që i shërben rajonit të Prishtinës, i cili përfshin edhe komunën e Podujevës.
Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) po e mbështet kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” për përgatitjen e projektit duke ofruar një grant prej 270,000 eurosh. BERZH-i do t’i ndihmojë kompaninë edhe që të sigurojë bashkëpunim teknik shtesë dhe grante investimi në mënyrë që ta bëjë këtë investim më të realizueshëm dhe të përballueshëm për qeverinë e Kosovës.
Historikisht, infrastruktura komunale në Kosovë ka vuajtur nga mungesa e investimeve në shërbimet e ujërave të zeza. Ky investim është bërë prioritet për qeverinë në mënyrë që të ofrohet higjienë më e mirë për popullin e Kosovës dhe të trajtohen shqetësimet mjedisore në rritje. BERZH-i ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e përpjekjeve të qeverisë, duke ofruar financim për tri impiante të tjera për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.
Ky projekt është plotësisht i përafruar me strategjinë e vendit të Bankës për Kosovën, e cila synon të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës më të qëndrueshme dhe më reziliente ndaj klimës.
BERZH-i është investitor institucional kryesues në Kosovë, duke derdhur më shumë se 770 milionë euro në Kosovë përmes 120 projekteve deri sot.