Një hulumtim i bërë për herë të parë në Kosovë nga një grup nxënësish të shkollës fillore “Elena Gjika”, ka nxjerrë në përfundim se 53% e të anketuarve mosha 13 dhe 14 vjeç janë përdorues të cigares elektronike. Pulmologët e shohin shumë të dëmshëm përdorimin e kësaj cigareje, duke e përafruar me cigaren tradicionale.
Përdorimi i cigares elektronike ka marrë hov të madh të përdorimit, duke përfshirë edhe të miturit. Konsumi i madh i tyre, ka shtyrë një grup nxënësish se bashku me një mësimdhënës të shkollës fillore “Elena Gjika”, ta bëjnë një anketim për ata që përdorin cigaret elektronike.
“Ne e kemi bërë këtë hulumtim me pa se sa e përdorim bashkëmoshatarët tanë cigaren elektronike, dhe kanë qenë shumë në numër”, thotë Zgjim Gërvalla, nxënës.
Për mësimdhënësit kjo dukuri është shumë shqetësuese.
“53%, i bien të jetë çdo i dyti apo i treti i mitur, që është shumë shqetësuese. Qëllimi ynë është ta ndalojmë, institucionet duhet të mobilizohen që të kemi zgjidhje. Ne jemi duke e punuar edhe pjesën e dytë, me pa sa a është rritë numri apo është zvogëlu”, tha mësimdhënsi Zymer Cakolli
Cakolli shtoi se qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë sensibilizimi i të miturve për ndalimin e përdorimit të kësaj cigareje.
Pos tjerash, përdorimi i kësaj cigareje shkakton dëme të shumta shëndetësore.
“Kryesisht këtë cigare e konsumojnë të miturit, dhe kjo shkakton dëme shumë të mëdha, pasi në atë moshë ata janë ende duke u zhvilluar duke penguar sistemin respirator”, thekson pulmologu Flamur Marku.
Sipas pulmologut, dëmi nga përdorimi i kësaj cigareje është i njëjtë me cigaren tradicionale.