Daut Haradinaj, kandidat për deputet në AAK, ka bërë homazhe për të rënët e 26 vjetorit të masakrës së Rogovës së Hasit, të rënë në vitin 1999-në.
Në një postim në Facebook, ai ka shpërndarë fotografi nga momenti kur kanë bërë homazhe.
“Ky rrugëtim i përgjakshëm i trimave të UÇK-së mbetet gjithmonë në kujtesën tonë. Burrat elitarë, të prirë nga vëllezërit Lleshi, Komandant Agim Zeneli, Agron dhe Sejdi Rama, Luan Smajli, Agush Gjocaj, Valon Gashi, Bahtijar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gëzim Ademaj, Haxhi Kleqka, Gaspër Karaqi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala, Rifat Shala, gjithçka për lirinë”.
“Në këto përpjekje titanike, djemtë elitarë të Dugagjinit kishin marrë një mision të pamundur: të shpëtonin bashkëluftëtarët e plagosur dhe t’u siguronin shokëve municion. Shumë prej këtyre heronjve ishin të plagosur e të rraskapitur nga betejat e njëpasnjëshme, deri në ditën e rënies”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje, ai ka shtuar se kushdo që dëshiron të shohë çmimin e sakrificës, duhet të shkojë në Rogovë të Hasit.