Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka shpalosur të mërkurën programin për arsim ku ka premtuar për të rinjtë 25 milionë euro fond shtetëror për bursa çdo vit, themelimin e gjykatës të punës, fondin e papunësisë, financim brenda dhe jashtë Kosovës në fusha të ndryshme, fond për garantim të kredisë si dhe vende pune e investim në sisteme të IT-së.
Hamza, shtoi se pasi që studentët të përfundojnë universitetin do tu mundësohen vende të punës në fushën e tyre me paga të dinjitetshme.
Hamza: Për të rinjtë tanë pasi që të kryejnë fakultetin, do t’u mundësohet që të kenë një vend pune
“Në fokus e kemi zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, sepse ky vend duhet me u zhvillu ekonomikisht, duhet me pas ndërmarrës të fortë, biznese të forta, të zhvilluara me qëllim që të hapen vende të reja të punës, që të rejave dhe të rinjve tanë pasi që të kryejnë fakultetin, tu mundësohet që të kenë një vend pune, ku ata e realizojnë vetën në profesionin e vet dhe kanë paga të dinjitetshme që të zhvillohen...Përveç zhvillimit ekonomik, përveç krijimit të kushteve dhe sigurisë të kontratave për të punësuarit në sektorin privat, përveç themelimit të gjykatës të punës, fondit të papunësisë, ne e kemi prioritet tepër të lartë arsimin”, tha Hamza.
Hamza tha se nuk do të ketë në Kosovë, djalë apo vajzë, që nuk do të mund të realizojë ëndrrat për shkak kufizimeve financiare.
Hamza: Ju garantoj që nuk do të ketë në Kosovë, vajzë apo djalë që nuk do të mund të realizojë ëndrrat për shkak të financave
“Ne do të investojmë në arsim, jo vetëm në infrastrukturë shkollore, në pajisje me laboratorë, por edhe profesorë të mirë dhe të paguar mirë dhe sisteme të mira të IT-së, por mbi të gjitha, unë kryeministër, ju siguroj dhe ju garantoj që vajzë apo djalë që nuk do të mund të realizoj ëndrrat e saj apo tij, për shkak të kufizimeve financiare nuk do të ketë në Kosovë... Starti është 25 milionë fond shtetëror, për bursa çdo vit. Fillimisht për studime brenda vendit dhe normalisht ndër profile dhe profesione të caktuara, më të specializuara, ne jemi të gatshëm që të financojmë edhe jashtë Kosovës”, shtoi ai.
Përveç fondit për garantim të kredisë, ai premtoi edhe trajnime profesionale dhe punë praktike e teorike.
Hamza: Ne do të ndihmojmë startup-at mes fondit për garantimin e kredisë
“Ne do të ndihmojmë start up-at mes fondit për garantimin e kredisë, të cilës do t’ia rrisim fushë veprimtarinë dhe kapitalin që ata me marrë riskun, fondi për garantimin e kredive, ndërsa kreditë, me i realizua, të rejat dhe të rinjtë që kanë vizion dhe program...Edhe trajnime profesionale edhe një ndërlidhje mes punës praktike dhe teorike”, u shpreh Hamza.