Kanidati për kryeministër dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me familjarë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, organizuan sot një Akademi Përkujtimore për të nderuar veprën dhe jetën e ish-nënkryetarit të LDK-së dhe ish-kryetarit të Komunës së Istogut, Fadil Ferati, në 15-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Abdixhiku vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Feratit në politikë dhe ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, duke e cilësuar atë si një model të përkushtimit ndaj qytetarëve dhe shtetit. Ai theksoi se Ferati ishte një nga shtyllat kryesore të LDK-së dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
“Fadili nuk ishte thjesht një kryetar komune apo një politikan; ai ishte një shembull i përkushtimit të palëkundur ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit të Kosovës. Njeri i urtë dhe vizionar, ai ishte ndër shtyllat më të forta të LDK-së, besnik e i pathyeshëm ndaj vizionit të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.” – tha Abdixhiku.
Abdixhiku e cilësoi trashëgiminë e Feratit si burim frymëzimi për të gjithë ata që besojnë në politikën e përgjegjshme dhe në vlerat e demokracisë.
“Puna dhe angazhimi i tij në politikë ishin mishërim i përkushtimit ndaj qytetarëve, të cilët ia besuan drejtimin e Istogut për vite me radhë. Si nënkryetar i LDK-së dhe pjesë e strukturave drejtuese të partisë në Istog, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe në fazat kyçe shtetformuese të vendit.
Sot, teksa kujtojmë Fadilin, ndjejmë mungesën e tij, por edhe forcën e trashëgimisë që ai ka lënë pas. Vepra e tij mbetet udhërrëfyese për të gjithë ata që besojnë në politikën si shërbim ndaj qytetarit dhe në idealet e një Kosove të zhvilluar dhe demokratike.” – tha kreu i LDK-së.
Ai shtoi se LDK-ja dhe ai personalisht, së bashku me djalin e Fadil Feratit, Ilirin, janë të përkushtuar që të vazhdojnë rrugën e idealeve që ai kishte ndjekur.
“LDK-ja dhe unë, e sot dhe djali i tij, Iliri, bashkë jemi të përkushtuar, që të punojmë nërrugën e idealeve që kanë trasuar brezi i Fadilit dhe jemi të përkushtuar që këtë kulturë e këto vlera, t’i përcjellim te breznitë e reja. Në këtë 15 vjetor, te varri i tij bashkë me familjen dhe bashkëpunëtorë bëmë dhe homazhe në nderim të jetës dhe veprës së këtij burri të madh. Lavdi jetës dhe veprës së Fadil Feratit!” – shkroi Abdixhiku.