Në fund të vitit 2023, Qeveria pati lansuar masën e punësimit për gratë e mbijetuara nga dhuna. Me këtë synohej punësimi dhe riintegrimi i tyre në tregun e punës. Ministria e Drejtësisë nuk ka bërë të ditur se sa është numri i tyre që janë punësuar gjatë kësaj kohe. Ndërkaq, organizatat joqeveritare nuk shprehen të kënaqura dhe thonë se është shqetësues numri i vogël i aplikimeve.
Në kuadër të masës “Mbështetje për punësimin e grave viktima të dhunës në familje”, ishte paraparë që qeveria të mbulojë 70 për qind të pagës bruto deri në 300 euro në muaj për një periudhë kohore prej gjashtë muaj.
Drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, Zana Hamiti tregon se vitin e kaluar janë strehuar rreth 150 gra dhe fëmijë. Shumica e të mbijetuarave të dhunës në familje, siç shton ajo, jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
Hamiti: Nuk ka dalë qysh e kemi prit masa për punësim
“Nuk ka dalë qysh e kemi prit, po shpresojmë që ndoshta do të krijohen kushte të tjera sepse vetëm njëra prej komponentëve që ia plotëson viktimave është punësimi. Shumica e tyre nuk kanë edhe banim, me këtë pagë ato nuk mund të pavarësohen që ta paguajnë edhe qiranë, të jetojnë sa fëmijë i kanë, dy-tre, fëmijë. Është e papërballueshme prapë kostoja”, thotë ajo.
Ajo e konsideron shqetësuese numrin e vogël të aplikimeve në kuadër të kësaj mase për punësim.
Hamiti: Shqetësues numri i vogël i aplikimeve për punësim
“Gjatë takimeve që i kemi pasur në vazhdimësi edhe në kuadër të institucioneve, me Ministrinë e Drejtësisë, ka qenë shqetësuese pse është numri kaq i vogël i aplikimeve për punësimin në kuadër të kësaj pike. Mirëpo, ne kemi ardhë në një konkludim se këtu është mundësia për 70 për qind të pagës bazë e paguan Ministria, ndërsa 30 për qind punëdhënësi, lidhet kontrata në afat gjashtë muaj, sigurisht me mundësi vazhdimi, mirëpo ku e kemi vërejtur në këto raste të dhunës në familje shumica prej tyre ose punojnë në biznese private që nuk ja transferojnë pagën përmes bankës, ose kanë ndihma sociale. Që automatikisht nëse ju dalin mjetet përmes xhirollogarisë bankare, ju ndalën ndihmat sociale”, deklaron ajo.
Se kjo masë nuk ka qenë e suksesshme thotë edhe Vebi Mujku nga Instituti për Zhvillim të Politikave Sociale.
Mujku: Rezultatet e masës nuk kanë qenë të dukshme
“Rezultatet e saj [masës] nuk mund të themi që janë të dukshme, të matshme ose të prekshme. Për shkak se duhet të kemi parasysh që kur kemi të bëjmë me raste të dhunës në familje edhe ato gra të cilat janë të punësuara e kanë të vështirë që ta mbajnë vendin e punës e mos të flasim për ato të cilat janë viktima të dhunës në familje që nuk kanë qenë asnjëherë në një punë. Për shkak se procedurat të cilat duhet të ndjek një viktimë e dhunës në familje, janë procedura jashtëzakonisht të rënda, burokratike. Duhet të vrapojë në polici, në qendrën për punë sociale, në gjykatë, në prokurori edhe në strehimore dhe është e pamundshme që të mbajë edhe vendin e punës edhe të kujdeset”, deklaron ai.
Gratë të cilat janë të mbijetuara të dhunës në familje është e domosdoshme që të jenë të pavarura ekonomikisht.
Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se ato përjetojnë edhe dhunë ekonomike dhe psikike.
Breznica: Çdo grua e cila përjeton dhunë është e rëndësishme që të punësohet
“Çdo grua e cila përjeton dhunë në familje, është tejet e rëndësishme që ajo të punësohet në mënyrë që të krijojë pavarësinë ekonomike dhe në bazë të kësaj ajo të mund të krijojë një ambient më të përshtatshëm për vetën dhe fëmijët e saj në mënyrë që të mos kthehen në ambiente abuzive dhe të mos falin dhunuesit, ashtu edhe siç ka ndodhur vazhdimisht. Një prej gjërave të cilat ne jemi të vetëdijshëm që po ndodhin në shoqërinë tonë është që viktimat e dhunës në familje vazhdimisht tërheqin deklaratat, vazhdimisht falin dhunuesit. Kjo vjen për shkak të presionit ekonomik që ato nuk kanë një shtëpi të tyre, nuk kanë mjete financiare, nuk kanë punë, nuk kanë trashëgimi”, thekson Breznica.
Lidhur me këtë çështje, KosovaPress është interesuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Financave, porse deri në momentin e publikimit nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Të drejtë aplikimi për masën “Mbështetje për punësimin e grave viktima të dhunës në familje” kanë të gjitha vajzat dhe gratë viktima të dhunës në familje, të cilat janë: mbi moshën 18-vjeçare, të mos jetë e regjistruar si e punësuar në ATK për tre muajt e fundit para aplikimit dhe të jenë të regjistruara si të papuna në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.