Oda e Hotelerisë dhe Turizmit dhe shoqata hoteliere nga vendi e rajoni kanë bërë homazhe sonte te Kompleksi Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, me rastin e shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe Ditës së Hotelerive.
Pas homazheve, në vazhdën e aktiviteteve për nder të 17 shkurtit, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka organizuar një mbrëmje festive, e cila do të jetë tradicionale çdo vit tash e tutje, ka thënë drejtori ekzekutiv i OHTK-së, Sadik Gashi.
Gashi ka theksuar se e veçanta e këtij manifestimi është që ai po mbahet për herë të parë në nivel të vendit në Prekazin legjendar të komandantit Adem Jashari.
"E veçanta e këtij manifestimi është që është hera parë që e mbajmë si Odë në nivel të Kosovës dhe në Prekaz, Komunën e Skenderaj, në vendin legjendar të Adem Jasharit. E veçanta tjetër, është se në mesin tonë kemi përfaqësuesit të gjitha viseve etnike shqiptare, duke filluar prej Shqipërisë, Maqedonisë Veriore, Ulqinit, Malit të Zi e të gjitha trojet shqiptare", tha Gashi.
Kastriot Noli, këshilltar nga Ambasada e Shqipërisë, është shprehur i nderuar me pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Ndërsa ka bërë thirrje të gjithë qytetarët të vazhdojnë të punojnë për të çuar përpara idealin e dëshmorëve të rënë për liri.
"Është gjithmonë kënaqësi të marrë pjesë në aktivitete aq më tepër që përkon me përvjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe fakti që jemi gjithë bashkë sot nga të gjitha trevat e Shqipërisë është mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen e thellë të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Dhe thirrja që mund të bëj sot është që të gjithë së bashku të vazhdojmë kështu për të çuar përpara idealin që patën këta për lirinë, tashmë në dimension tjetër, përmes punës, veprave, dhe për të kthyer Kosovën, Shqipërinë, trojet mbarë shqiptare në vende të zhvilluara, në paqe dhe model i demokracisë", tha Noli.
Pronari i një hoteli, i cili ka hapur dyert për të pranishmit në organizim të kësaj mbrëmjeje, Avdi Tahiri, ka folur mbi përgatitjet e bëra për realizim të kësaj feste.
"Festë e madhe, falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, të cilët sonte janë te ne. Është festë që do të mbahet mend, është ditë e paharrueshme...Ka disa ditë që jemi duke u përgatitur për këtë natë", tha Tahiri.
Aktiviteti ka vazhduar edhe me homazhe te bustet e Salë dhe Hamit Jashari. Derisa vetë mbesa e Salës që po ashtu mban emrin e saj, Salë Jashari ka kujtuar sakrificën e tyre për liri e pavarësi. Mes fjalëve ajo kujtoi edhe momentin kur Salë Jashari kishte takuar djemtë e plagosur prej luftës.
"Jam mbesa e Salë dhe Hamit Jasharit. Përndryshe këtu është fillimi i lagjes Jashari e deri te shtëpia e Adem Jashari, ku më 5, 6, 7 mars flakët që i janë dhënë kësaj lagjeje kanë qenë flakët e lirisë për njerëzit, flakë shprese. Edhe pse për neve si familje duke humbur 59 anëtarë gjithsej është një ndjenjë e dhimbshme, por megjithatë kur kujtojmë që flakët e këtyre shtëpive dhe sakrifica e familjarëve tanë i ka ndezur njerëzit më shumë dhe iu ka dhënë motiv më shumë të luftojnë për lirinë e vendit është krenari për familjen dhe të gjithë...Sala Jashari, edhe pse djemtë i ka parë gati pranë vdekjes të plagosur prej lufte, në asnjë moment në fytyrën e saj nuk është parë asnjë pikë loti. Në takimin e fundit më 4 mars, kur Salë Jashari takohet me djalin e saj, i cili ishte plagosur, i takon shokët e tij dhe iu thotë, t’i bëni me shëndet plagët e lirisë. Edhe nëse ata ju marrin të gjithë juve, të mos harrojmë, ne po marrim më shumë e ajo është liria", ka kujtuar Jashari.
Në këtë organizim madhështor do të marrin pjesë figura të shquara të biznesit, artit dhe jetës shoqërore. Të ftuarit do të argëtohen nga këngëtari i shquar Afrim Muçiqi dhe nga këngëtarë dhe muzikantë tjerë të estradës. Pjesë e kësaj feste madhështore do të jetë edhe këngëtari i mirënjohur Shkelzen Jetishi - Xeni.