​Sa e dëgjojnë qytetarët radion sot

Kosova

​Sa e dëgjojnë qytetarët radion sot

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 17:57
Foto ilustrim

Sot është Dita Botërore e Radios, e cila mbetet një medium jetik për përhapjen e ndërgjegjësimit, edukimin e audiencës dhe inkurajimin e veprimit kolektiv.

Qytetarët e intervistuar nga KP thonë se përkundër faktit që ajo nuk dëgjohet sikur në të kaluarën, radio mbetet një pjesë e përditshmërisë, duke e konsideruar një burim të rëndësishëm të informacionit.

Blerta, qytetare, thotë se dëgjon shumë shpesh radio gjatë vozitjes në automjet.

Blerta: Dëgjoj radio kur jam duke vozitur

“Thuajse shumë shpesh, sepse voziti edhe gjatë shkuarjes për në punë me veturë, atëherë dëgjoj edhe radio… Ndoshta edhe jo, sepse janë edhe këto rrjetet tjera të komunikimit, si rrjetet sociale, që i shfrytëzojnë rinia, edhe të tjerët besa jo vetëm rinia. Ndoshta edhe dëgjohet mirëpo duke u nisur nga vetja jo shumë. Gjithsesi nëse je në trafik e dëgjon”, tha ajo.

Edhe Edor Dyla thotë se ndjek rregullisht emisionet e ndryshme në radio kur është duke vozitur.

Edor Dyla: Radion e dëgjoj vetëm në veturë

“Ndonjëherë, kur jam në makinë. Përveç makinës nuk dëgjojë, vetëm në makina”, tha ai.

Ndërsa Shefki Buzhala thekson se nuk ka shumë kohë për të dëgjuar radio, dhe se zakonisht e përcjell televizionin.

Shefki Buzhala: Nuk kemi kohë të dëgjojmë radio

“Shumë rrallë, se nuk kemi kohë edhe aq shumë. Kush ka kohë e dëgjon, kush nuk e dëgjon… Kur kemi kohë dëgjojmë, kohë nuk kemi, shumicën e kohës vetëm televizion, radio shumë rrallë”, potencoi ai.

Ndërsa qytetari tjetër Nasuf Mjekiqi mendon se radio nuk dëgjohet sikur më parë.

Mjekiqi: Në veturë dëgjoj radio më shumë

“Radio dëgjojmë më së shumti në veturë . Si ta ndezi veturën, më ndizet edhe radio. Jo nuk dëgjohet si më përpara, atëherë nuk kemi pasur televizion kështu që kemi qenë më të koncentruar në radio dhe e kemi dëgjuar. Nuk informohem shumë nga radioja, aty më shumë bëjnë pyetje si gjithmonë”, tha ai.

Ndërsa Bajram Ismaili thotë se ndjek vazhdimisht radion në kohën e lirë.

Ismaili: Vazhdimisht ndjek radion

“Dëgjoj shpesh. Zakonisht kur jam në shtëpi, qetë dhe kur kam kohë jam i lirë e dëgjoj Kosovën e Lirë. Zakonisht informohem më së shumti prej radios. Sot radio nuk dëgjohet më pak si në kohët e kaluara”, potencoi Ismaili.

E shpallur në vitin 2011 nga Shtetet Anëtare të UNESCO-s dhe e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 2012 si Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, 13 shkurti u bë Dita Botërore e Radios (WRD).

Tema e Ditës Botërore të Radios 2025 është Radio dhe Ndryshimet Klimatike: Një mjet i fuqishëm për veprimin klimatik.

Ndërsa Marrëveshja e Parisit merr një rëndësi të madhe, radio kontribuon në arritjen e objektivave të saj ndërkombëtare duke mbështetur popullsinë përballë ndryshimeve klimatike përmes shpërndarjes së informacionit të bazuar në fakte, zërave të dëgjuesve, emisioneve të dedikuara radiofonike.

Në vitin 2025, roli i radios në trajtimin e ndryshimeve klimatike është më i rëndësishëm se kurrë, duke ofruar një platformë për biseda që promovojnë qëndrueshmërinë mjedisore dhe frymëzojnë veprime.

Qoftë nëpërmjet stacioneve radiofonike të komunitetit që transmetojnë lajme lokale për klimën, rrjeteve kombëtare që rrisin ndërgjegjësimin për sfidat globale mjedisore, ose stacioneve globale që promovojnë marrëveshje ndërkombëtare për klimën, radio ndihmon në përforcimin e zërave dhe bashkimin e njerëzve rreth një angazhimi të përbashkët për të mbrojtur planetin tonë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat