​Kërkohet më tepër mbështetje institucionale për personat e prekur me epilepsi

Kosova

​Kërkohet më tepër mbështetje institucionale për personat e prekur me epilepsi

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

Epilepsia është ndër sëmundjet më të shpeshta neurologjike në Kosovë, por për shkak të mungesës së të dhënave nuk ka numër të saktë të pacientëve. Në QKUK i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për më shumë mbështetje ndaj të prekurve me këtë sëmundje pasi kostoja e terapisë është e lartë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Epilepsisë, neurologia në Klinikën Neurologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Melihate Pushka i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për më shumë mbështetje ndaj të prekurve me këtë sëmundje, sa i përket furnizimit me barna esenciale.

Në një intervistë për KP, Pushka theksoi shpesh heziton t’iu përshkruajë pacientëve antiepileptikë të rinj, pasi nuk janë të përfshirë në listën e barnave esenciale e që kostoja e tyre është e lartë sipas saj.

Pushka: MSH të mbështesë të prekurit me epilepsi, terapia është e kushtueshme

"Iu bëj thirrje apo apel të gjitha institucioneve tona shëndetësore, sidomos Ministrisë së Shëndetësisë që është si organ, i cili i krijoi politikat shëndetësore që t'iu japim më shumë mbështetje pacientëve me epilepsi duke pasur parasysh se është sëmundje kronike për të cilën duhet marrë barna, për shumicën e tyre, pothuajse gjatë tërë jetë. E që kostoja e trajtimit në kushtet tona, por edhe gjithkund në botë, është shumë shpesh e papërballueshme. Te ne ekziston një kufizim mjaft i madh buxhetor sa i përket asaj se sa barna mund të jepen dhe sa janë në listë esenciale sidomos prej antiepileptikëve të rinj, të cilët hezitojmë shumë shpesh edhe t’i përshkruaj për arsye se ata kanë një kosto mjaftë të madh”, tha Pushka.

Neurologia Melihate Pushka potencoi se epilepsia është ndër sëmundjet më të shpeshta neurologjike në Kosovë. Derisa tregoi se për shkak të mungesës së data-bazës në vendin tonë nuk ka numër të saktë të pacientëve të prekur me këtë sëmundje, teksa moshat më të prekura janë ata deri në moshën 25-vjeçare.

Pushka: Epilepsia mund të paraqitet në çdo moshë

"Duke pasur parasysh se epilepsia është sëmundja më e shpeshtë neurologjike. Diku 1.2 për qind të popullatës në të gjitha vendet e kanë prevalencën, pra numri i pacientëve i bie 1.2 për qind në popullatë, teka to vende të cilat i kanë të dhënat statistikore. Ne nuk kemi numra të saktë, të mirëfilltë sepse nuk kemi databazë të këtyre pacientëve. Por, dhe tek definitivisht është sëmundja më e shpeshtë neurologjike. Mund të japim vetëm projeksione të numrave të përafërt. Por, numrin e sigurt nuk e kemi. Duke pasur parasysh se sa shumë punë kemi në kabinetet tona elektro-fiziologjike, të EG-së dhe sa shpesh kemi pacientë të cilët vijnë në ambulanca specialistike përveç atyre të shtrirëve me epilepsi, definitivisht është një problematikë shumë e shpeshtë neurologjike e cila është posaçërisht e rëndësishme, sepse i prek moshat e reja, kryesisht. Epilepsi është sëmundje e cila është e shpeshtë prej fëmijërisë deri në moshën 25 vjeçare...Epilepsia mund të paraqitet në çdo moshë. Mirëpo, është me shpeshtë deri në 25 vjeç dhe pas moshës 65-vjeçare", potencoi Pushka.

Pushka tha se menaxhimi i epilepsisë në dekadën e fundit ka shënuar progres, pasi pacientët janë më të informuar rreth kësaj sëmundjeje.

Pushka: Në 30% të rasteve me epilepsi, terapia ndërpritet pas disa viteve

“A është epilepsia sëmundje e shërueshme? Nëse mendohet shërimi në kuptim të mos përsëritjes së sulmeve, jo të shërimit të shkaktarit. Ka shërim të shkaktarit që quhet shërim etiologjik. Kjo i bie nëse ke një infeksion bakterial dhe të jep antibiotikun doktori dhe ti shërohesh, ndërsa mjekim është nëse merr terapi për një problematikë dhe si rrjedhim i trajtimit nuk përsëritet më ai problem. Në epilepsi, shumica e epilepsisë, 70 për qind në përgjithësi është sëmundje kronike. Do të thotë se ata pacientë gjatë tërë jetës së vet do të marrin terapi. Një 30 përqindësh ndoshta janë raste, të cilat pas menaxhimit disa vjeçar do t'iu ndërpritet terapia dhe më nuk do t'iu përsëritet", tregoi Pushka.

Ndër të tjera, Pushka tregoi se epilepsia prek të dyja gjinitë, pa përjashtim.

Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë (IED) është një ngjarje globale e kujdesit shëndetësor, e cila sivjet shënohet me temën "Udhëtimi im i epilepsisë".

Ngjarja synon të bashkojë pacientët që vuajnë nga epilepsia dhe të krijojë një ndjenjë komuniteti për të diskutuar gjendjen, profilin e saj epidemiologjik, diagnozën dhe trajtimin.

Epilepsia është një gjendje mjekësore e përhapur që jo vetëm që prek individin fizikisht, por gjithashtu ka ndikime të rëndësishme psikologjike dhe emocionale si te pacientët ashtu edhe te kujdestarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat