​Çfarë po blejnë më shumë qytetarët për Shën Valentin?

Kosova

​Çfarë po blejnë më shumë qytetarët për Shën Valentin?

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

Dita e të dashuruarve po kremtohet nga qytetarët me dhurata plot buzëqeshje e dashuri. Kjo ditë, e cila shënohet në krejt botën, është një moment i veçantë për të dashuruarit, por jo vetëm ata.

Liridona Bujapaj thotë se këtë vit vërehet trendi i dhuratave të personalizuara, dhe qytetarët vendosin për më shumë se një dhuratë. Ajo thotë se trëndafilat e kuq janë kryefjala e Shën Valentinit, dhe se interesimi më i madh për blerje janë lulet e freskëta rozë.

“Trëndafilat e kuq janë kryefjala e Shën Valentinit. Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit porositë më të mëdha janë për lulet e freskëta – rozë e kuqe. Këtë vit kemi vërejtur trendin e dhuratave të personalizuara. Klientët kanë zgjedhur më shumë se një dhuratë, kanë vendosur të dërgojnë emocione dhe ngrohtësi përmes një dhurate ku i personalizojnë produktet, të cilat i pëlqejnë partnerit apo partneres. Zakonisht burrat blejnë lule, ka mundësi që është diçka më e thjeshtë dhe simbolike dhe nuk kanë nevojë me mëndu shumë gjatë, ndërsa gratë janë më shumë detaje shkojnë deri në detajin e fundit duke e personalizuar”, tha Bujupaj.

Shkurte Çitaku thotë se për këtë ditë më të kërkuara në argjendarinë e saj janë qaforet, byzylykët dhe unazat, për dallim nga shumë vite më parë ku kishte kërkesa për sete të ndryshme.

“Kërkesat janë të larmishme, por kryesisht ndonjë qafore dhe unazë. Këto janë më të preferuarat nga klientët. Nuk ka ndonjë dallim shumë të theksuar, kryesisht çdo vit janë këto, ndoshta vitet e mëhershme po, sepse ka pasur kërkesa për setet e ndryshme, por vitet e fundit pak më shumë ose byzylyk dore ose qafore, këto janë pak më shumë kërkesa më të zakonshme. Gratë janë më të fiksuara në disa figura, i kanë disa gurë, ndërsa meshkujt kërkesat nuk i kanë shumë të qarta, më shumë nisen prej propozimeve”, thekson Çitaku.

Ndërsa nga libraria Dukagjini, Zgjim Sherifi, thotë se interesimi për libra është i madh. Ai thotë se librarinë e vizitojnë çiftet e reja të dashuruara dhe bëjnë dhuratë librin e mbështjellë në formë dhurate.

“Interesimi për këtë ditë për të blerë libra është mjaftueshëm i madh, për shkak se vijnë çiftet e reja, të martuarit, të dashuruarit, ata që kanë qejf të bëjnë një libër dhuratë. Libri është i mbështjellë dhe nuk dihet titulli. Është një lloj dhurate për ata që e dëshirojnë. Mendoj që libri, përveç bizhuterive, është një dhuratë e bukur për këtë ditë”, tha ai.

Dita e Shën Valentinit është bërë një festë e përhapur në të gjithë Evropën dhe sot ajo sillet rreth dhënies së dhuratave për atë që doni.

Ka shumë përgjigje të ndryshme në lidhje me origjinën e Ditës së Shën Valentinit. Ndërsa kjo traditë filloi si një festë e liturgjisë së krishterë që kremton shenjtorët e ndryshëm të quajtur Valentinus gradualisht, mitet u shtuan në këtë festë të 14 shkurtit. Veçanërisht, tregimi popullor i Shën Valentinit të Romës, i cili u burgos për kryerjen e dasmave për ushtarët që u ndalohej të martoheshin, u lidh me 14 shkurtin. Gjatë burgimit, ai ra në dashuri me vajzën e rojtarit të burgut të tij dhe para se të linte ekzekutimin e tij, një letër me nënshkrimin "Valentini yt". Tradita u zhvillua prej andej dhe 14 shkurti u bë dita e dashurisë që njohim sot.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat