Në Kosovë u shënua 14 shkurti, siç njihet si Dita e të Dashuruarve, ku përveç dashurisë, këtë ditë e bëjnë të veçantë edhe dhuratat ndaj partnerëve. Se sa prej tyre arritën që ketë dashuri ta finalizojnë me martesë apo në rastin tjetër, sa nga ta përfunduan martesat e tyre, do të ndjekim kronikën qe flet për rastet.
Izet Zhuja ka mbi 50 vjet martesë. E me rastin e 14 Shkurtit që njihet si Dita e të Dashuruarve, ai bleu edhe lule për bashkëshorten e tij.
“I kam blerë për shoqen time, për bashkudhëtarët tona, dashuria sa më shumë kalon aq më shumë rritet.. Shoh tani se ka divorce, i them të gjithve dashuroni me zemër e jo me interes sepse pas dashurisë vijnë fëmijët, nipat e mbesat dhe nuk ka kënaqësi më të madhe”, tha Zhuja.
Si Zhuja janë edhe mbi 17 mijë çifte të tjera të cilët gjatë vitit 2024 në Kosovë, kurorëzuan dashurinë me martesë.
Por, përderisa shumë çifte në Kosovë sot festuan Ditën të Dashuruarve, në të njëjtin vit 1 mijë e 671 çifte i dhanë fund martesës.
“Bazuar në të dhënat administrative, numri i rasteve të shkurorëzimeve gjatë vitit 2024, është 1.671 raste. Numri më i madh i tyre është në tre mujorin e parë me gjithsej 455 raste”, theksoi Valdete Navakazi, shefe e sektorit të Popullsisë në ASK.
Kurse në vitin 2023 sipas ASK-së, janë regjistruar 2 212 shkurorëzime, numër ky më i madh krahasuar me vitin 2022. Ndër shkaqet që çojnë në divorce sipas sociologëve janë gjendja ekonomike, xhelozia, tradhtia e faktorë të tjerë.