Ëndrra e shumë gjeneratave dhe brezave për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, u bë realitet më 17 shkurt të vitit 2008, ku Kosova shpalli pavarësinë e saj. Sot, Kosova shënon 17-vjetorin e pavarësisë. Disa qytetarë të vendit tregojnë se si e shohin rrugëtimin e Kosovës në këto vite.
Alnurit Azemi, thotë se rrugëtimin e Kosovës e sheh duke u zhvilluar hap pas hapi siç thotë ai “sikur fëmija kur rritet, mirëpo Kosova ka mundur më mirë nëse udhëheqësit e saj kishin qenë në nivelin e duhur”.
“E shohë hap pas hapi, sikur fëmija kur rritet, nga asgjë kemi mbërrit deri diku, kemi mundur me mirë, si kemi pasur udhëheqëset nivelin e duhur, në aspektin ekonomik kemi ngec, (lutemi) tani e tutje nuk mbyllen fabrikat por të hapen, sepse kur ka fabrika është populli, kur nuk ka fabrika nuk është populli. Mendoj që ka e mira jemi duke shkuar, po jo sa kemi dëshiruar”, thotë ai.
Një tjetër qytetar, Venhar Isufi, thotë se në Kosovë ka ndryshime pozitive, mirëpo sipas tij, vendi ka nevojë më tepër të punohet në zhvillimin ekonomik, për hapjen e vendeve të reja punës, si dhe për parandalimin e migrimit të të rinjve.
“Është një rrugëtim, në të cilën krejt ata që kanë qenë më herët, duke përfshi ish- presidentin, ish-kryeministrat, kuvendaret, është një ndryshim i situatës në kuptimin pozitiv. Të punohet më shumë në zhvillimin ekonomik, në hapjen e vendeve të punës, në ndalimin e migrimit të rinjve, se kjo e fundit është një çështje që është t’u na preokupua të gjithëve”, potencon Venhari.
Ndërsa Shaban Beqiraj bënë krahasimin e gjendjes në Kosovë si ka qenë në kohën sa ishte e pushtuar para lufte dhe tani. Beqiraj thotë së është një dallim i madh në aspektin ekonomik e social.
“Me krahasuar me para lufte, gjendja qysh ka qenë në aspektin ekonomik social në të gjitha sferat, është ndryshim rrënjësor, si thonë “dita me natë”, ekonomia familjare është e avancuar. Edhe pse në raport me numrin e popullatës ka mangësi shumë të madhe, një numër i madh i të rinjve nuk e gjejnë veten këtu, po të paktën nëse krahasohet me gjendjen paraprake ndryshimi është rrënjësor”, deklaron Beqiraj.
Ndërsa për shënimin e kësaj date në Kosovë, kanë ardhur shqiptarë nga trojet e ndryshme si Erxhain Iseni, i cili thotë se ka ardhur nga Gostivari i Maqedonisë, enkas për manifestimin e 17- vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Kemi ardhur enkas për manifestimin e 17 vjetorit të R. Kosovës. Jemi tërë ditën duke kaluar shumë mirë, të gjithë që kanë marr pjesë janë shumë të kënaqur. Kam qenë edhe para 17 viteve, hera e para kur ka qenë manifestimi i një vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Shteti i Kosovës ka shkuar dhe është avancuar prej vitit të parë e deri tash në 17-vjetorin”, thotë ai .
Sot në 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, qytetarët festuan me krenari këtë ditë, duke kujtuar të gjithë ata që sakrifikuan shumë për të arritur këtë ditë, të cilët janë dëshmorët e kombit që nuk kursyen jetën e tyre për të arritur Kosova lirinë.