Pesë raste me tuberkulozë janë hospitalizuar dhe po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). 241 pacientë kërkuan shërim për këtë sëmundje vitin që lamë pas. Kështu duke shënuar rritje të të prekurve krahasuar me vitin 2023. Ani pse nuk ka statistika zyrtare, nga Klinika e Pulmologjisë në QKUK thonë se rreth 600 pacientë në tërë Kosovën janë regjistruar me tuberkulozë.
Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha në një intervistë thotë se shkalla e të infektuarve është rreth 30 raste të reja në 100 mijë banorë në vendin tonë.
Hoxha: Gjatë vitit 2024 në klinikën tonë janë diagnostikuar dhe trajtuar rreth 241 raste
"Gjatë vitit 2024 në klinikën tonë janë diagnostikuar dhe trajtuar rreth 241 raste. Nga ato tuberkulozë pulmonare kanë qenë 206 raste. Kurse tuberkulozë latente 11 dhe recidivë kanë qenë 9. Kurse, tuberkulozë ekstrapulmonare ka pasur 35. Gjatë vitit 2023 tek ne që janë diagnostikuar dhe trajtuar kanë qenë rreth 208 raste... Në nivel vendi ende nuk janë të dhënat zyrtare. Mirëpo, ne në bazë një llogaritje që e kemi bërë shihet se numri i rasteve të reja sillet diku rreth 600, ashtu sikurse vitin e kaluar. Me një incidencë dikur rreth 30 raste të reja në 100 mijë banorë...", thotë Hoxha.
Hoxha thotë se, krahasuar me vendet fqinje, shpeshtësia e rasteve me tuberkulozë është shumë më e lartë në Kosovë.
Ai thekson se për dallim nga vitet e më hershme, tuberkuloza po “stacionohet” më shpesh tek moshat e mesme dhe të shtyra.
Hoxha: Në krahasim me vendet fqinj jemi me inicidencë shumë më të lartë
"Duke parë edhe indikatorët epidemiologjik siç kemi pasur më herët raste shumë më shumë raste adoleshente dhe tuberkuloze ekstensive, pra tuberkulozë me forma të rënda, siç i kemi pasur edhe meningjitet tuberkulare te fëmijët. Gjithmonë ai numër është zvogëluar dhe tuberkuloza po shkon duke u spostuar nga moshat e mesme dhe të vjetra. shteti ynë ende e ka incidencën e lartë të tuberkulozës. Në krahasim me vendet fqinj jemi me inicidencë shumë më të lartë", thekson Hoxha.
Përveç këtyre, në intervistën për KP, drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha tregon se numri i kërkesave për hospitalizim është më i madh sesa kapacitet që ka kjo klinikë.
Hoxha: Kërkesat janë më të mëdha për hospitalizim sesa që ne kemi kapacitete
"Gjatë muajve të dimrit dihet se klinika jonë ka gjithsej 66 shtretër dhe ata shtretër që i kemi, i kemi gjithmonë të mbingarkuar. Gjatë muajve të dimrit gjithmonë nevojat thuajse janë më të mëdha dhe kërkesat më të mëdha për hospitalizim sesa që ne kemi kapacitete", tregon Hoxha.
Ndër të tjera, pulmologu Hoxha thekson nevojën për rritjen e numrit të infermierëve.
Hoxha: Gjithmonë kemi nevojë për staf të mesëm më tepër
"Sa i përket stafit të mesëm infermierë, edhe pse gjatë vitit 2024 kemi punësuar diku rreth 6 infermierë, por pasi që dy kanë dalur në pension atëherë gjithmonë kemi nevojë për staf të mesëm më tepër", thotë Hoxha.
Sa i përket barnave esenciale, Hoxha shprehet se janë mirë të furnizuar.
Hoxha: Ne qëndrojmë mirë me furnizim me barna dhe material në përgjithësi
"Sa i përket antituberkularëve qysh pas luftës gjithmonë janë siguruar përmes Fondit Global dhe gjithmonë kemi pasur barna për mjekimin e tuberkulozit. Kurse, edhe sa i përket listës esenciale ne qëndrojmë mirë me furnizim me barna dhe material në përgjithësi", tregon Hoxha.
Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet.