Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" ka shënuar 55-vjetorin e themelimit me një manifestim dhe me nënshkrimin e disa marrëveshjeve me institucione partnere. Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, e cilësoi këtë përvjetor si të veçantë, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të universitetit për të kontribuar në përparimin e shtetit.
“Pa një universitet kompetent do ta kemi të pamundur si shtet të ecim përpara,” tha Hajrullahu, duke vënë theksin tek rëndësia e përmbushjes së misionit të UP-së. Ai deklaroi se Universiteti i Prishtinës po bën përparime të dukshme dhe se “është vetëm fillimi”. Sipas tij, nëse të gjithë kontribuojnë sipas përgjegjësive që kanë, UP-ja do të mund të ecë përpara dhe të mos jetë vetëm një institucion që ka rezistuar ndër dekada, por të dëshmojë se është në rrugën e duhur për të përmbushur misionin e saj.
Hajrullahu gjithashtu theksoi nevojën për mbështetje më të madhe nga institucionet dhe vendosi tri vija të kuqe për UP-në: plagjiatura, ngacmimet dhe korrupsioni. “Unë besoj se situata është shumë më e mirë se sa shpërfaqet gjithandej,” tha ai, duke kërkuar raportim të drejtë dhe objektiv për Universitetin e Prishtinës.
Ai nuk la pa përmendur edhe sukseset e studentëve të UP-së, të cilët, sipas tij, kanë arritur të përzgjidhen në mesin e 40 ideve më inovative në botë, në një konkurrencë prej mbi 110 mijë idesh. “Kjo tregon për punën që bëhet në UP dhe sukseset në mësimdhënie, hulumtime dhe përmbushjen e misionit tonë për të lidhur hulumtimin shkencor me mësimdhënien dhe nevojat e shoqërisë në vendin të cilin jetojmë,” tha Hajrullahu në një intervistë në RTK.
Rektori bëri të ditur se UP po punon me statutin e ri dhe po përgatitë rregullore të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të universitetit. Ai gjithashtu theksoi se parimi i meritokracisë është i padiskutueshëm dhe se duhet të promovohet kompetenca në universitet.
“Vetëm duke e respektuar parimin e meritokracisë, ne do të arrijmë të zhvillohemi,” deklaroi ai, duke theksuar rëndësinë e transparencës, hapjes dhe llogaridhënies për të siguruar një konkurrencë të drejtë në universitet.
Universiteti i Prishtinës vazhdon të përballet me sfida, por sipas Hajrullahut, është në rrugën e duhur për t’u zhvilluar dhe për të përmbushur misionin e tij.